Copa El Clasico
Real Madrid dhe Barcelona do të përballen për herë të tretë këtë sezon në ‘El Clasico’. Pas dy ndeshjeve të vlefshme për kampionatin spanjoll, La Liga, ku njërën e fitoi Barça 5:0 e një tjetër përfundoi baras, 1:1, këtë radhë gjigantët spanjollë do t’i masin forcat në finale të Copa del Rey (Kupa e Mbretit), e cila do të zhvillohet të mërkurën mbrëma, duke filluar nga ora 21:30.
Portieri Iker Casillas beson se ky është rasti ideal për madrilenët për ta mposhtur Barcelonën, në ndeshjen e cila do ta zhvillohet në stadiumin Mestalla të Valencias.
“Ky është një trofe mjaft i rëndësishëm për Realin. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të qëndrojmë për 17 vjet pa e fituar atë. Ka rëndësi të madhe për ne, sidomos për mua, pasi që nuk e kam fituar në 11 vitet sa kam qëndruar këtu”, tha portieri spanjoll për ueb faqen zyrtare të klubit.
“Mendojmë se ka ardhur koha që të fitojmë trofe të ndryshëm. E dimë se nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë një ndeshje e madhe ndërmjet dy ekipeve më të madha spanjolle. Diçka do të ndodhë, ne jemi të ngazëllyer me mundësitë që kemi. Shpresojmë që ta fitojmë kupën”, vazhdoi ai.
Në anën tjetër, katalunasit edhe në këtë duel do të mund të llogarisin në shtyllën e mbrojtjes, Carles Puyol, i cili u kthye në dispozicion të trajnerit Pep Guardiola të shtunën, pas lëndimit që e kishte lënë atë jashtë fushës për tre muaj.
Dhe, veterani i mbrojtjes së Barçës u ka dhënë një shtytje dhe vullnet shokëve të tij të skuadrës për takimin e së mërkurës. “Finalja është gjithmonë atraktive. Do të jetë një lojë e fortë ndërmjet dy prej skuadrave më të mira të botës. Natyrisht, ne e synojmë fitoren”, deklaroi përfaqësuesi spanjoll.
Këto skuadra janë takuar katër herë në finale të Kupës, prej të cilave tri i ka fituar Barcelona. Nga viti 1993, kur madrilenët e fitonin këtë trofe, Merengues kanë arritur në finale dy herë, duke humbur në vitin 2002 nga Deportivo La Coruna dhe në vitin 2004 nga Real Zaragoza. Barcelona prinë në Spanjë për numrin e triumfeve në Copa del Rey, 25 sosh.
Oktapodi parashikon fitoren e Realit
Oktapodi i quajtur Iker ka parashikuar fitoren e Real Madridit ndaj Barcelonës në finalen e Copa del Rey, e cila do të luhet të mërkurën mbrëma, pasi e zgjodhi peshkun e vendosur në një cilindër xhami me simbolin e Realit të Madridit.
Iker e la anash kështu simbolin e Barcelonës në parashikimin që u bë në ‘Sea Life Aquarium’, në qytetin jugor të Spanjës Benalmadena, afër Malagas.