E Shtunë, 31 Tetor 2026

“I zhgënjyer, duhet kompromis për zgjidhjen e krizës”

23/03/2010 Kreu i prezencës së OSBE-së, Bosh, komenton zhvillimet politike

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, është shprehur i zhgënjyer nga seanca parlamentare e së premtes, e cila pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, thelloi krizën politike në vend. Ndërsa ngritjen e komisionit parlamentar hetimor për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ai e ka cilësuar të padobishëm dhe të njëanshëm. “Jam i zhgënjyer, pasi javën që shkoi u kërkova partive të gjejnë kompromisin, që do të thotë të dyja palët të tolerojnë. Dhe ajo që pamë ishte një paraqitje pa fund e këndvështrimeve të veta. Nuk kishte debat, dhe kjo ishte pikërisht gjëja më negative që mund të imagjinonim. Komisioni duhej të votohej nga të dyja palët. Nëse është i njëanshëm, nuk është shumë i vlefshëm. Duhet që ta miratojnë të dyja palët, në të kundërt është njësoj sikur të mos ekzistonte”, - tha ambasadori Bosh pas vizitës në Kryegjyshatë me rastin e festës së Sulltan Nevruzit. Kreu i OSBE-së në vendin tonë u bëri edhe një herë apel palëve për kompromis, duke u kërkuar që të lëshojnë nga kushtet e tyre, me qëllim që të gjetet një zgjidhjeje kompromisi. “Kanë ngelur në pikat e tyre, dhe kjo nuk ndihmon. Por shpresoj që dyert të mos jenë të mbyllura plotësisht dhe të vazhdohet. Ka vetëm një zgjidhje, por nëse secili këmbëngul në të vetën, kjo zgjidhje nuk do të vijë. Të dyja palët duhet ta gjejnë atë. Ishte shumë negative dhe zhgënjyese, por shpresoj të mos jetë fundi. Besoj se nuk do të jetë fundi”, - nënvizoi Bosh. Ndërkohë veprimtaria e komisionit hetimor parlamentar do të nisë pas disa ditësh. Ai përbëhet nga 15 anëtarë, ku shumicën e ka mazhoranca. Ajo do të zhvillojë e vetme veprimtarinë e këtij komisioni, pa anëtarët e Partisë Socialiste. Kjo e fundit pas rrëzimit nga mazhoranca të propozimeve të saj për hapjen e kutive refuzoi pjesëmarrjen në këtë komision. Mazhoranca ka anëtarë në këtë komision: Ilir Rusmalin (nënkryetar), Eduard Halimin, Enkelejd Alibeajn, Aldo Bumçin, Arenca Trashanin, Viktor Gumin, Edi Palokën dhe Nasip Naçon e LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›