Santorum para Romneyt në anketa

Ish-senatori amerikan, Rick Santorum, ka një përparësi të dukshme para ish-guvernatorit të shtetit Massachusets, Mitt Romney, në garën për nominim presidencial të Partisë Republikane, tregojnë rezultatet nga hulumtimi i "Gallup"-it.
Hulumtimi kombëtar i "Gallupit” tregon se Santorumi 52-vjeçar ka mbështetje nga 36 për qind të votuesve republikanë të regjistruar, përderisa 28 për qind prej tyre e mbështesin 64-vjeçarin Romney.
Sipas ekspertëve, kjo është hera e parë që Santorum të ketë përparësi të qartë mbi përqindjen e gabimit të lejuar gjatë hulumtimeve.
Në vend të tretë me 13 për qind mbështetje është 68 vjeçari Newt Gingrich, e pas tij pason 76-vjeçari Ron Paul me 11 për qind nga votat e votuesve republikanë të regjistruar.
Zgjedhjet preliminare të Partisë Republikane në Michigan dhe Arizonë do të mbahen më 28 shkurt.
Romney konsiderohet favorit në Michigan, ku ka lindur dhe ku babai i tij, George Romney, ishte guvernator.