E Shtunë, 31 Tetor 2026

ICG: Sfidat pas mbikëqyrjes

Kosova e ka zbatuar pjesën dërmuese të planit Ahtisaari dhe meriton të jetë tërësisht e pavarur, por nuk duhet të ketë rrëshqitje dhe pjesët tjera të planit duhet respektuar, thuhet në raportin e sotëm të lëshuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në këtë raport, thuhet se arritjet e deritashme në zbatimin e këtij plani, rrezikohen mes tjerash edhe nga raportet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe frustrimit të Prishtinës me “pamundësinë për të shtrirë sovranitetin e saj në zonat veriore të banuara me serbë”.

“Qeveria duhet të mbetet e përkushtuar në kërkesat e planit të Ahtisaarit për pakicat. Por, plani nuk ka qenë i hartuar të funksionojë në izolim dhe nuk mund të ndahet nga raporti i tërësishëm Kosovë – Serbi”, thuhet në raport.

Në veri të Kosovës, kontrolli i Beogradit mbi administratën lokale është pothuajse i plotë. Në jug, Beogradi paguan paga dhe pensione për serbët dhe menaxhon sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, pa e informuar Prishtinën. Qeveria në Kosovë po e toleron këtë, ndonëse mund të bëjë përpjekje për mbylljen e institucioneve të Beogradit në jug të vendit, shkruan ICG.

“Kur është pajtuar me planin e Ahtisaarit, Kosova ka pranuar se Serbia do të jetë e përfshirë në këtë territor, ndonëse në mënyrë bashkëpunuese dhe transparente. Beogradi ka refuzuar të bashkëpunojë dhe Kosova tash po tregon shenja mosdurimi”, shkruan në raport të ICG-së.

“Prishtina dhe partnerët e saj ndërkombëtarë kanë dështuar pothuajse tërësisht të zgjidhë rezistencën ende shumë të fuqishme ndaj kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur”.

“Pengesa më e madhe me të cilën përballet sot komuniteti serb dhe i cili shihet si kërcënimi më serioz nga ICG ndaj planit Ahtisaari, është vështirësia absolute në krihimin e një jete të qetë dhe të qëndrueshme në zonat e pakicave”, thuhet në raportin e ICG-së.

“Mosbesimi , mungesa e regjistrimit adekuat dhe armiqësia e bëjnë të vështirë për bizneset e pakicave që të tregtojnë arikujt e tyre dhe të ofrojnë shërbime për shumicën. Duke qenë se ka pak mundësi përveç fermave në komunat e banuara me shumicë serbe, shumë serbë varen nga rrogat që marrin prej Beogradit”, shkruan ICG, duke vënë në pah edhe problemin që kanë shkollat dhe spitalet e menaxhuara nga serbët dhe lidhshmërinë që kanë me to serbët e Kosovës.

Prishtina dhe Beogradi kanë interes të bashkëpunojnë dhe të shmangin ekzodin e servbëve të Kosovës, gjë që do ta linte Kosovën me një kushteturë shumëkombëshe në një realitet jot ë shëndetshëm njëkombësh, duke krijuar tensione të reja kështu edhe për rajonin dhe duke cenuar imazhin që ka në mesin e mbështetësve ndërkombëtarë.

Serbia ndërkaq nuk e përballon dot një valë të re emigrantësh në një ambient të vështirë ekonomik, shkruan ICG. (REL)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›