The Independent: I vjen fundi mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG), që përbëhet nga 25 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të, ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.
Gjatë një konference të kohëve të fundit, të mbajtur në Vjenë, ISG u shpreh se Plani Ahtisaari, që njihej si parakusht për pavarësi, ishte “zbatuar në mënyrë substanciale”.
Megjithatë, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk e ka pranuar Planin Ahtisaari e as që ka bashkëpunuar ndonjëherë me Zyrën Civile Ndërkombëtare, e cila është themeluar për zbatimin e marrëveshjes në fjalë.
“Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe popullin e saj, ” ka thënë përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith për gazetën The Independent, duke e cilësuar vendimin si diçka “të duhur dhe në kohën e duhur”.
Populli i Kosovës “tani do të duhet të tregojë vetë nëse duan të përdorin institucionet, në krijimin e të cilave kemi ndihmuar ne, drejt një demokracie të vërtetë multi-etnike e të decentralizuar në Ballkan,” ka thënë ai.
Mirëpo, edhe pse Kosova mund të bëhet komb plotësisht sovran, shumë organizata ndërkombëtare që veprojnë në terren, nuk e kanë ndërmend të largohen së shpejti.
Përgjithësisht, kostoja e përgjithshme e pranisë ndërkombëtare në Kosovë ende është rreth gjysmë miliard dollarë në vit, ndërkohë që në territorin e vendit janë të dislokuara edhe 5 mijë trupa të forcës së NATO-s, KFOR.
Mandati i misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, sapo është vazhduar edhe për dy vjet të tjera, me një buxhet vjetor prej 111 milionë eurosh. Krye-zëdhënësi Nicholas Hawton, pranon se megjithë përparimet e arritura, Kosova ka ‘ende nevojë’ për EULEX-in në fushën e sundimit të ligjit.
Sipas tij, indikacion për përparimin e arritur në Kosovë, paraqet edhe fakti që EULEX ka mundur të zvogëlojë numrin e personelit dhe buxhetit në mënyrë të vazhdueshme, duke kursyer kështu “paratë e taksapaguesve evropianë”.
“Mirëpo, në asnjë mënyrë ne nuk do të largohemi, këtu ka ende punë për t’u bërë.” Ai thotë se krimi i organizuar dhe korrupsioni posaçërisht, mbesin ”sfida të mëdha”.
Vendimi i ISG (GND) është mirëpritur në Kosovë. Në një konferencë shtypi pas takimit në Vjenë, kryeministri Hashim Thaçi, e quajti vendimin “një datë simbolike dhe historike’ për vendin e tij”.
Ministri në largim i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i ka thënë “The Independent” se vendimi nuk është asgjë më shumë sesa një “vendim politik”, i cili “mund të sjellë vetëm tensione të reja në territorin ku jeta është gjithçka tjetër pos normale”.
Serbët përbëjnë/popullojnë kryesisht pjesën veriore të vendit dhe ata nuk i njohin institucionet e Prishtinës. Telashet më të fundit kanë përfshirë edhe përleshje ndërmjet serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it si dhe sulme në autobusë civilë serbë gjatë një feste të këtyre të fundit.
Bogdanoviç e fajëson Prishtinën që “nuk po bën asgjë” për të mbrojtur serbët e Kosovës, mirëpo, Feith thotë se në Kosovë ka garanca të mjaftueshme, sipas të cilave të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë do të respektohen.
Ai ka përkrahur hapjen gjatë kësaj jave të zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila ka për qëllim shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në rajonet e udhëhequra nga serbët.
“Kosova duhet të ec përpara dhe të bëhet një shtet normal, i zakonshëm, në rajon,” thotë z. Feith duke shfaqur besimin se kjo do t’i ndihmojë Kosovës qasjen në anëtarësimin në OKB dhe në Bashkësinë Evropiane. Rusia dhe pesë shtete të tjera anëtare të BE-së, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai shpreson se dhënia fund e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të çojë drejt rritjes së numrit të shteteve që do ta njohin Kosovën si shtet sovran. Deri tani, 91 nga gjithsej 193 vende anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.