ICO-ja i jep FSK-së pajisje në vlerë të 150 mijë eurove

Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfituar një donacion nga Zyra Civile Ndërkombëtare - ICO, donacion ky që ka vlerë të çmueshme për nevojat e FSK-së.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku e ka vlerësuar aktin e ICO-s me rastin e dhënies së këtij donacioni, si dhe ka çmuar prioritetin e Zyrës Civile Ndërkombëtare sipas të cilit FSK-ja ka qenë përfituese e këtij donacioni. Çeku është shprehur se infrastruktura dhe pajisjet për FSK-në janë vazhdimisht në prioritetet dhe në objektiva të zhvillimit, kështu që përkrahja me donacione është e mirëseardhur dhe shumë e nevojshme. Ai ka falënderuar vendimin e ICO-s për mbështetjen që kanë dhënë për FSK-në me rastin e ndarjes së donacionit, njofton MSFK-ja me një komunikatë për opinion.
Edhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka përshëndetur angazhimin dhe vendimin e ICO-s për ndihmë me pajisje, duke vlerësuar vlerën e donacionit që do të shkojë për nevoja të Kompanisë së Deminimit humanitar të FSK-së.
Donacioni i Zyrës Civile Ndërkombëtare për FSK-në, me rastin e përfundimit të misionit të saj, kap vlerën e afro 150 mijë eurove. Donacioni është pranuar në pajisje transporti, gjithsej gjashtë automjete, prej tyre dy minibusë dhe katër xhipa, si edhe pajisje 50 kompjuterë./Indeksonline/