Obama e Romney drekojnë bashkë

Presidenti Obama ka ftuar ish-rivalin e tij republikan, Mitt Romney, për të drekuar së bashku ditën e enjte. Kështu, presidenti Obama e ka mbajtur premtimin e tij gjatë fjalimit të fitores për të kërkuar këshilla nga Romney gjatë mandatit të tij të dytë.
Të dy burrat do të hanë drekë në dhomën private të ngrënies.
Ky do të jetë takimi i parë i të dy politikanëve, që kur Romney humbi
zgjedhjet ndaj Obamës me 3.5 milionë vota.
Takime të tilla midis rivalësh për president janë një gjest simbolik dhe aspak të jashtëzakonshme. Në vitin 2008, kur fitoi mandatin e tij të parë, presidenti Obama u takua privatisht me John McCain pas përfundimit të zgjedhjeve./Indeksonline/