E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në Zvicër: Mos na i vidhni pensionet

Sindikalistët shqiptarë në emigracion gjatë fjalës së ministrit zviceran Alain Berset kanë dalë në protestë me pankarta para ministrit. Në to thuhet: Jo vjedhjes së pensioneve; Pensione korrekte dhe për pensionistët nga Kosova. Ministrit në vazhdim iu dorëzua një letër, në të cilën kërkohet mbështetje në zgjidhjen e problemit me pensionet e punëtorëve nga Kosova. Për këtë kanë njoftuar aktivistët Faton Topalli dhe Hilmi Gashi.

Gjyqi Federal Administrativ i Zvicrës e ka konsideruar shfuqizimin e marrëveshjes si një aktë të padrejtë dhe ka kërkuar implementimin e marrëveshjes për pensionet. Përkundër vendimit të Gjyqit Federal Admnministrativ, Enti Federal për Sigurimet Shoqërore ka urdhëruar që pensionet të mos paguhen. Osman Osmani dhe Rita Shave kundërshtojnë urdhëresën e Entit Federal për Sigurimet shoqërore:

“Ne jemi të mendimit, që Zyra Federale për Sigurimet Shoqërore me këtë Urdhëresë ka tejkaluar kompetencat e saja. Nuk është e mundur, që Zyra Federale për Sigurimet Shoqërore të anashkalojë vendimet e plotfuqishme ligjore të një gjykate. Në sytë tonë kjo sjellje paraqet një rast ekstrem i mohimit të drejtësisë”

Ministrit i janë drejtuar edhe Rita Schiavi, Anëtare e Drejtorisë Qendrore dhe Osman Osmani, Sekretar sindikal për migracion, duke kërkuar mbështetjen e tij. Alain Berset i përket Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Shtyrja e vendimit për rregullimin e çështjes së pensioneve është një njollë e zezë e cila nuk nderon një ministër të majtë, por as një shtet demokratik si Zvicra, edhe pse marrëveshja është shfuqizuar në kohën e një ministri borgjez..

Historia e pensioneve për shtetasit nga Kosova ka filluar para tri vitesh kur Qeveria zviceriane ka shfuqizuar njëanshëm marrëveshjen për pensionet me Kosovën. Pushteti në Kosovë u tregua niglizhent duke injoruar shenjat për prishjen e marrëveshjes, si nga zyrtarë të Zvicrës ashtu edhe nga aktivistët sindikal. Sindikata zvicerane Unia në kuadër të së cilës vepron një numër i madhë aktivistësh me prejardhje nga Kosova ka protestuar menjëherë pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Zvicrës duke mbledhur nënshkrime për një peticion dhe duke biseduar me organet kompetente zvicerane dhe atyre kosovare.

Deri më sot nuk është gjetur zgjidhje për këtë padrejtësi ndaj punëtorëve shtetas të Kosovës, të cilët pas vitesh pune të rëndë nuk mund t’i gëzojnë pensionet e tyre në Kosovë. Sindikata Unia pret nga Ministri Berset, që kjo padrejtësi ndaj paguesve shqiptar në fondet e sigurimeve të pensioneve të korrigjohet. Intervenimi i Ministrit Berset është mase i nevojshëm, sepse drejtoria e tij nuk do t’i respektoj as vendimet gjyqësore./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›