E Shtunë, 31 Tetor 2026

ICO nuk përzihet në “çështjen Qeska”

Prishtinë, 21 gusht – Në Zyrën Civile Ndërkombëtare nuk mendojnë se është çështje e shefit të tyre, Pieter Feith, që të merret me punën e organizmit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Rahovec. Zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller-Berner, ka thënë të premten për Kohën Ditore se një gjë e tillë është çështje e presidentit të Kosovës.
“I takon presidentit të Kosovës se kur do të thërrasë zgjedhjet në pajtim me ligjin”, ka thënë ai, duke mos komentuar korrespondencat, siç i ka quajtur ai, të brendshme.
Ndërsa presidenti Sejdiu ende nuk është përcaktuar përfundimisht rreth rastit të organizmit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Rahovecit.
“Presidenti do të presë sqarimet e nevojshme nga institucionet përkatëse, në këtë rast nga KQZ-ja dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të gjithë asaj që ka ndodhur, që të japin sqarimet shtesë se a ka bërë shkelje ligjore kryetari Qeska apo jo, dhe tani të dalë me një qëndrim të qartë”, ka theksuar këshilltari për media i Presidencës, Xhavit Beqiri. “Nëse kryetari Qeska argumenton se s’ka bërë shkelje të obligimeve të tij si kryetar komune dhe është kthyer brenda afatit ligjor, atëherë s’ka nevojë që të shpallen zgjedhjet, mirëpo nëse ai i ka shkelur ato, atëherë sigurisht se presidenti do ta shikojë qëndrimin e tij”.
Këto qëndrime të vartësve të Faithit dhe të Sejdiut kanë ardhur pas letrave që kanë marrë ata nga Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Rahovecit, Dega e AAK-së dhe ajo e Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim, të “motivuara” nga Qazim Qeska, i cili është rikthyer në postin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, këtë të hënë, dyzet e pesë ditë pas dorëheqjes së parevokueshme.
Sipas nenit 56 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, mandati i kryetarit të komunës përfundon: a) kur ta kryejë mandatin e tij; b) nëse vdes; c) nëse jep dorëheqje; d) nëse ndërron vendbanimin në komunë tjetër; e) nëse nuk paraqitet në punë për më shumë se 1 muaj pa arsye; f) nëse shkarkohet nga detyra në pajtim me këtë ligj; g) në rast të vendimit përfundimtar të gjyqit që e privon kryetarin e komunës nga cilësia juridike; dhe h) në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë muaj ose më tepër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›