E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrati i Neredimes "shpopullohet" nga barishtet dhe hedhurinat

Kaçanik, 20 gusht - Shtrati i lumit Neredime në rrjedhën e tij përmes qytetit Kaçanik "është shpopulluar"nga barishtet, shkurret dhe hedhurinat. Tridhjetë punëtorët e angazhuar në këtë projekt të premten paradite po pastronin metrat e fundit të tij. Zyrtarë përgjegjës komunalë kanë rikujtuar se projekti për pastrimin e shtratit të Neredimes dhe të disa përrenjve financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.  "Mjetet e alokuara nga MPMS-ja janë pjesë e projektit për gjenerim punësimi nëpërmjet punëve publike", ka thënë Misim Sopa, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Sipas tij, konform marrëveshjes së firmosur nga Komuna dhe MPMS-ja, gjysmën e punëtorëve të përfshirë në punët e parapara kompania e kontraktuar i ka siguruar nga Zyra Komunale e Punësimit në Kaçanik. Ndërkaq, Mehmet Mulaku, përgjegjës i ZKP-së në Kaçanik, ka theksuar se 15 punëtorët "e huazuar" nga zyra "e tij" janë kontraktuar për 3 muaj, ndërsa figurojnë në listën e punëkërkuesve me gjendje të rëndë sociale. Lidhur me projektin e sipërpërmendur, zëdhënësi i Komunës, Hajrush Dullovi, ka bërë të ditur se është kontraktuar në shumë prej 38.878 eurosh. Sipas tij, MPMS-ja edhe vitin e kaluar e ka financuar një projekt për pastrimin e shtretërve të përrenjve në lagjet “Rakoci” dhe “Ramadan Agushi”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›