E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveritarët të bindur në sukses edhe në OKB, analistët më skeptikë

Prishtinë, 21 gusht - Analistët në Prishtinë tërheqin vërejtjen se miratimi eventual i rezolutës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të minimizonte rolin pozitiv që pati mendimi i GJND-së për Kosovën. Por, një mundësi e tillë hidhet poshtë nga zyrtarët e Qeverisë, të cilët thonë se nëse do të ketë rezolutë, ajo do të jetë në favor të Kosovës dhe në harmoni me mendimin e GJND-së.
Qeveria e Kosovës pret që rezultatet e sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, të reflektojnë me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora çitaku thotë për Radio Evropa e Lirë se nëse do të nxirret ndonjë rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme, ajo do të jetë në favor të Kosovës dhe në harmoni me mendimin e GJND-së. Në rast se do të ketë rezolutë të miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme për përmbylljen e procesit në GJND, ajo do të reflektojë opinionin e GJND-së dhe jo diçka tjetër.
Ndërkaq, analisti Driton Lajçi thotë për REL se duhet pritur diplomacinë evropiane dhe atë amerikane nëse do t’ia dalin ta bindin Serbinë të heqë dorë nga rezoluta, pasi që edhe modifikimi i saj, sipas tij, nuk paraqet zgjidhje.
“Nëse ajo kalon, që do të ishte një situatë tejet e paimagjinueshme, atëherë do të balancohej, minimizohej roli politik i mendimit të GJND-së, i cili është në favor të deklaratës së pavarësisë së Kosovës”.
“Besoj se ajo nuk do ta marrë votën e duhur për t’u miratuar, sepse do të ishte e pakuptimtë dhe jo e logjikshme të votojnë një draft-rezolutë që është në kundërshtim me mendimin e GJND-së, organ ky i OKB-së", vlerëson Lajçi.
Lajçi thekson se Serbia është në avantazh, pasi që ky vend tashmë e ka dorëzuar draft-rezolutën në New York.
Në anën tjetër, zëvendësministrja Vlora çitaku thotë se Kosova nuk është vetëm dhe se ajo si edhe në të kaluarën mbështetet nga miqtë e saj ndërkombëtarë. Ajo shton se mund t’i sigurojë qytetarët e Kosovës se edhe në Asamblenë e Përgjithshme Kosova do të dalë fitimtare në raport me Serbinë, sikurse edhe në GJND.
“Unë vetëm mund t’ju siguroj që ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet dhe se ne gjithmonë kemi bashkërenduar përpjekjet dhe hapat tanë me partnerët ndërkombëtarë. Edhe në Asamblenë e Përgjithshme nuk do të jemi vetëm dhe besojmë se edhe atje do të dalim të suksesshëm”, deklaron zëvendësministrja çitaku.
Sesioni i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pritet të nisë nga mesi i muajit shtator. Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të mund të marrë pjesë atje, por shpreson që pikëpamjet e saj të paraqiten dhe të mbrohen nga vendet mike.
Por, pavarësisht këtij fakti, tashmë është paralajmëruar që në New York do të udhëtojnë udhëheqësit më të lartë të Kosovës, të cilët në margjinat e këtij sesioni pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues e udhëheqës të shteteve të ndryshme të botës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›