E Diel, 1 Nëntor 2026

IDK: Parregullsi dhe ngecje në Parlamentin e Kosovës

Në këtë fletënotim, sikurse edhe në ato paraprake, janë evidencuar parregullsi, dobësi dhe ngecje në parlamentin e Kosovës, sikurse janë evidencuar edhe anët pozitive të cilat e kanë shoqëruar punën e Kuvendit të Kosovës në këtë periudhë. Duke folur për nivelin e zhvillimit të debateve në Kuvendin e Kosovës, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI së, theksoi se partitë politike debatin që duhet bërë brenda Kuvendit të Kosovës e kanë bartur tek konferencat për shtyp, që tregon për një koncentrim të pushtetit partiak brenda një grupi të vogël njerëzish.

 "Në vend se partitë politike, përmes grupeve të tyre parlamentare, të zhvillojnë një debat të mirëfilltë parlamentar në Kuvendin e Kosovës, ato janë fokusuar në organizimin e konferencave për shtyp", pohon Kryeziu. Një çështje tjetër të cilën e ka ngritur Kryeziu ka qenë edhe çështja e pagave të deputetëve. Ai ka vënë në dukje se gjatë kësaj periudhe ka pasur disa tentativa nga ana e deputetëve, përkatësisht të Komisionit për Buxhet dhe Financa për ngritje të pagave të deputetëve.

Sipas Kryeziut, nuk është edhe aq brengosës fakti se a donë të rrisin deputetët pagat e tyre, sa është brengosëse fakti se një gjë të tillë, Kuvendi i Kosovës është duke tentuar ta bëjë në mënyrë jo transparente. "Komisioni për Buxhet dhe Financa së paku në dy mbledhje të veta ka diskutuar për çështjen e ngritjeve të pagave dhe në të gjitha rastet një gjë të tillë e ka bërë duke nxjerrë nga mbledhjet edhe monitoruesit e KDI së edhe mediat e pranishme në mbledhje. Për më tepër, edhe Kryesia e Kuvendit nuk i ka publikuar procesverbalet për mbledhjet kur ka diskutuar për pagat e deputetëve? ka thënë Kryeziu.

Në kontekstin e çështjes së pagave të deputetëve, Driton Selmanaj, Asistent i Programit në KDI, ka thënë se megjithë përpjekjet e deputetëve për t'i ngritur ato, pagat e deputetëve të Kosovës nuk janë edhe aq keq. Sipas tij, në bazë të raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës (për tre mujorin e parë të vitit), 20 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë marrë mbi 1,000 Euro në muaj kompensime shtesë. Nga ana e saj, Fitore Zeneli, Asistente e Programit në KDI, është përqendruar rreth parregullsive të cilat e kanë shoqëruar punën e Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj periudhe raportuese.

Sipas saj, Kuvendi akoma vazhdon të punojë me rregullore të punës të nxjerrë në kohën e UNMIK ut, ballafaqohet me mungesë të kapaciteteve profesionale që do të asistonin në hartimin e ligjeve, vazhdon të miratojë ligje dhe të debatojë për çështje të ndryshme pa e pasur kuorumin e nevojshëm; ministrat e qeverisë vazhdojnë të mos jenë të pranishëm në seancat plenare, madje as kur trajtohen çështjet nën përgjegjësinë e ministrive të tyre përkatëse sikurse edhe në kohën e pyetjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës vazhdon të ngrit çështje dhe pastaj t'i heshtë ato pa dhënë ndonjë arsyetim si p.sh: Rezoluta kundër komunizmit dhe rasti i Prevallës.

 Ndërkohë 15 deputetë të Kuvendit të Kosovës, vazhdojnë të mbajnë poste edhe në kabinetin qeveritar, duke shkaktuar kështu probleme në funksionimin e gjithëmbarshëm të tij, e sidomos të komisioneve parlamentare. Si zakonisht, KDI edhe në këtë raport ka bërë publikimin e rezultateve të performancës së deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Sipas KDI së deputetët më aktiv në seanca plenare gjatë kësaj periudhe parlamentare kanë qenë: Riza Smaka 15%, Gani Geci 12%,, Gjylnaze Syla 12%, Driton Tali 12%, Arsim Rexhepi 11%, Naser Rugova 11%, Nurishahe Hulaj 10%. Në anën tjetër deputetët më performancë 0 (zero) gjatë kësaj periudhe raportuese kanë qenë: Selvije Halimi, Kolë Berisha, Bujar Bukoshi, Zef Morina, Dragan Dimiç, Etem Arifi, Hafizie Hajdini, Vladimir Todoroviç, Mihailo Shqepanoviç, Dragisha Miriç.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›