E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, gjashtë raste të dyshuara me grip derri

Në këtë takim, drejtuesit e IKSHP së, QKUK së, Klinikës Infektive dhe ata të qendrave rajonale, kanë raportuar për nivelin e masave që po ndërmerren për ballafaqim me pandeminë e Gripit të derrave pas konfirmimit të 2 rasteve pozitive të virusit H1N1 në Kosovë. Ministri Gashi ka vlerësuar se deri në këtë fazë, institucionet shëndetësore qendrore, por edhe ato regjionale e lokale kanë bërë punë të mirë dhe se ka kërkuar që monitorimi i masave të ndërmarra dhe situatës të vazhdojë më ritëm të njëjtë. Ai ka thënë se autoritetet shëndetësore në vend, po veprojnë ekskluzivisht sipas rekomandimeve të OBSH së dhe se situata është plotësisht nën kontroll. Në takim u vlerësua se aktualisht Kosova posedon medikamente të mjaftueshme të ilaçit Tamiflu, por është kërkuar që ky ilaç të përshkruhet ekskluzivisht nga infektologët. Ishte konstatim i përbashkët se masat e ndërmarra në pikat kalimtare në kufi dhe në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, pavarësisht interpretimeve të ndryshme, janë në përputhshmëri absolute me rekomandimet e OBSh së, dhe se autoritetet shëndetësore në vend, nuk kanë lënë pa ndërmarrë ndonjërën prej këtyre masave që i ka rekomanduar kjo organizatë. Në takim ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i OBSh së në Prishtinë, drejtori i Aeroportit të Prishtinës dhe përfaqësues edhe të institucioneve të tjera që janë pjesë e planit të përbashkët të veprimit kundër gripit. Pas takimit është mbajtur edhe një konferencë për media, ku Ministri Alush Gashi, drejtori i IKSHP së, Naser Ramadani dhe drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, theksoi se deri tash në Kosovë janë raportuar gjashtë raste të dyshuara me grip të derrave, ndërsa sot është konfirmuar edhe rasti i dytë i infektuar. Ministri i Shëndetësisë Alush Gashi i ka qetësuar qytetarët duke thënë se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik. "Vendi ynë është duke i zbatuar të gjitha rekomandime e Organizatës Botërore të Shëndetësisë", tha Gashi dhe shtoi se Klinika Infektive në QKUK ka ndërmarrë të gjitha masat dhe se është e përgatitur në rast të përkeqësimit të situatës.

Sipas Ministrit Gashi, në Kosovë pritet të rritet numri i të prekurve nga ky grip, por tehksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për të ngritur nivelin e sigurisë shëndetësore të qytetarëve. Ai gjithashtu tha se janë siguruar doza të mjaftueshme të Tamiflusë, të cilat do t'i përdorin të gjithë ata persona që kanë nevojë.

Drejtori i Repartit të Infektives, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se personi i cili ka rezultat pozitiv dhe personat e tjerë që dyshohen se kanë pasur kontakt me të infektuarin janë duke u mbajtur në Repartin e Infektives. Deri më tani, në vendin tonë është raportuar për 6 raste të gripit, ndërsa dy prej tyre janë konfirmuar pozitiv dhe dy janë në observim. Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar qytetarët që të mos blejnë Tamiflu pa rekomandim të mjekut, por edhe në rast se e blejnë duhet të kenë kujdes për afatin e përdorimit. qik

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›