Helmimi i 60 kursantëve, Hita mbledh drejtuesit e Akademisë së Sigurisë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar sot një mbledhje urgjente me drejtuesit e Akademisë së Sigurisë, pas helmimit të 60 studentëve të kësaj akademie.
Sipas burimeve, Hita ka qenë i pranishëm në Akademi edhe në orët e mesnatës, menjëherë pasi kursantët janë transportuar drejt repartit infektiv të QSUT-së për të marrë ndihmë mjekësore.
Ai ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që mund të kenë lidhje me rastin.
Policia e Tiranës njoftoi sot se, mbrëmjen e djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore 31 kursantë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Sipas policisë, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
/m.q/r.e/a.f/