ILD, 21 inspektime tematike dhe institucionale në gjykata dhe prokurori, përfshirë SPAK dhe GJKKO

Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar, në nenin 194 të tij përcakton objektin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sipas këtij ligji, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Që nga nisja e funksionimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë gjithsej 21 inspektime, 12 prej të cilave kanë përfunduar.
Inspektimet e përfunduara kanë pasur për objekt trajtimin e ankesave me objekt “lirimin me kusht”, nga disa gjykata dhe prokurori pranë tyre në 15 gjykata të shkallës së parë në vend dhe 5 ish-gjykata të Apelit, përpara hartës së re gjyqësore, si dhe prokuroritë pranë tyre. Nuk kanë munguar edhe inspektimet mbi respektimin e kushteve dhe kritereve për caktimin e masave të sigurimit personal për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i kryer në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Shkodër dhe Vlorë, mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale në kuadër të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 12, datë 20.07.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, i kryer në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe të Apelit Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër.
Një tjetër inspektim, ku ka pasur edhe ankesa të qytetarëve që i janë drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ka qenë ai për ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik në gjykata. Ky inspektim është kryer në Gjykatën e Lartë dhe në dy shkallët e gjyqësorit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pa përjashtuar edhe disa gjykata të tjera. Dy inspektime të tjera të kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë pasur për objekt praktikat për shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve dhe caktimin e çështjeve në prokurori, inspektime që janë kryer në Elbasan, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Për caktimin e çështjeve në prokurori, inspektimi përfshiu SPAK, si dhe disa gjykata të vendit. Inspektimet e tjera për të cilat ka raporte përfundimtare kanë qenë mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhomës Civile dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli i raporteve të sistemit elektronik në gjykata, mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve dhe dokumentimi nga gjyqtarët i informimit të palëve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim, të cilat janë kryer në disa gjykata dhe prokurori të vendit përfshirë edhe SPAK dhe Gjykatën e Posaçme.
/rtsh.al/