ILDKP: KRRTRSH, vendime në konflikt interesi

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka njoftuar per mediat se ka evidentuar dy raste konflikti interesi gjatë procesit të vendimmarrjes në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë Tiranë. Sipas ILDKP-së, Alban Ethimi dhe Arben Biçoku, në kundërshtim me kërkesat e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, kanë marrë pjesë në votim për dhënie leje ndërtimi për një studio projektimi dhe një studio ndërtimi, të cilat drejtohen nga familjarë të tyre. ILDKP ka filluar më datë 07.04.2009 hetimin administrativ për konflikt ,mbi bazën e kërkesës të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Por ky hetim eshte nisur edhe bazuar në Vendimin e Kuvendit të Shqipërisë "Për miratimin e Raportit Përfundimtar të Komisionit Hetimor për hetimin e praktikave dhe proçedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës". Njoftohet se në bazë të analizës ligjore dhe të deklaratave të bëra nga dy anëtarët e KRRT-së në ILDKP, u arrit në përfundimin se abstenimi në votimin e kërkesave për leje ndërtimi, i anëtarëve që kanë patur një interes privat direkt ose indirekt në çështjet e kaluara për votim, nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave. Në përfundim të hetimit administrativ, ILDKP shprehet se pjesëmarrja e Alban Ethimit dhe Arben Biçokut në këto vendimmarrje përbën konflikt interesi dhe kërkon të merren masa administrative ndaj dy anëtarëve të KRRT së Bashkisë së Tiranës që nuk kanë zgjidhur konfliktin e interesave në mënyrën e duhur ligjore.