Flamurtari “i rrëmben” Toni Pezon Tiranës
Leonard Karaj
Toni Pezo është një hap larg skuadrës së Flamurtarit. Lajmi konfirmohet nga burime pranë klubit vlonjat dhe gjen indirekt konfirmim edhe nga vetë futbollisti. Pas largimit të disa lojtarëve të formacionit bazë që përfunduan sezonin e kaluar reparti më problematik rezultoi të ishte ai i mbrojtjes. Kjo u pa edhe në ndeshjen e Kupës UEFA (Europa League) ku Flamurtari pësoi plot 8 gola nga skocezët e Motheruell. Ndaj drejtuesit kuqezinj u vunë menjëherë në lëvizje për të gjetur një futbollist, i cili do të mbyllte përfundimisht problemet tek kjo skuadër. Pas kthimit nga Ukraina dhe dështimit të firmosje së një kontrate me Krivbas Pezo u duk se do të kthehej sërish te Tirana, por realisht Flamurtari është skuadra që ka ofruar më shumë për momentin për këtë lojtar.
Tratativat
Fakt është se Pezo kërkohet edhe nga tri skuadra të tjera të Superligës. Veç Flamurtarit edhe Tirana, Dinamo dhe Vllaznia kanë qenë të interesuar për Pezon. Nga ana tjetër kroati ka shprehur dëshirën për të ardhur në Shqipëri por gjithmonë përkundrejt ofertës më të mirë, e cila në këtë rast duket se e drejton nga qyteti i Vlorës. Në këtë mënyrë Flamurtari do të driblonte mjaft mirë konkurencën e Tiranës, skuadër e cila e ka pasur në organikën e saj gjatë sezonit të kaluar në formë huazimi nga Hajduku i Splitit. Ndërkohë drejtuesit kroatë të këtij klubi kanë deklaruar se presin oferta si përsa i përket formës së huazimit por edhe blerjes totale të kartonit të futbollistit.
Krivbas
Pezo, i menaxhuar nga agjenti shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhia, u testua te Krivbas gjatë muajit të kaluar por pa arritur të gjejë akordin me drejtuesit e këtij klubi. Shkak në fakt është bërë Hajduku, ekipi që zotëron kartonin e futbollistit i cili ka kërkuar edhe 10 përqind të vlerës në rast se Toni Pezo një ditë do të shitej nga Krivbas për tek një skuadër tjetër. Kjo ka qenë edhe arsyeja e vetme e cila ka çuar në prishjen e ekuilibrave në këtë tratativë e cila në fund rezultoi e dështuar.