E Diel, 1 Nëntor 2026

Plaku: Nuk firmosa se isha ekstrakomunitar

 

Sebino Plaku, sulmuesi dhe goleadori i bluve, tashmë është përsëri pranë ekipit të Shkëlqim Muçës. Siç është bërë e ditur rreth një javë më parë, Plaku nuk pat udhëtuar me skuadrën drejt Mavrovës për vazhdimin e periudhës përgatitore. Por sulmuesit i kishte mbërritur një ofertë nga Vitoria e Guimaraeshit dhe për një javë ka qenë në provë te kjo skuadër. Për Plakun, i cili është kthyer të hënën në mbrëmje në Tiranë, gjërat kanë shkuar mirë, por janë prishur pikërisht në çastin e hedhjes së firmave. “Unë kam bërë një provë pozitive – shpjegon Plaku, – ndërsa kam shënuar shumë gola në ndeshjet që kemi bërë brenda familjes. Në të tilla kushte të gjithë e kanë vlerësuar me nota pozitive provën time dhe ishim gati për të firmosur, por gjërat janë prishur në momentin e fundit”. Por në kohën që Plaku vazhdonte provën te Vitoria, kjo skuadër kishte dërguar një lojtar ekstrakomunitar në Gjermani, i cili ishte gati të firmoste. “Por pas kontrollit mjekësor që gjermanët i kishin bërë lojtarit, gjithçka doli në të kundërt dhe futbollisti u kthye në Portugali. Edhe duke qenë ekstrakomunitar, ata nuk merrnin një tjetër në këtë status, i cili isha unë”, ka shpjeguar Plaku, i cili duhet të firmoste një kontratë 1+1. Plaku do të vazhdojë stërvitjet në kryeqytet dhe të shtunën do të kthehet te blutë, të cilët kanë parashikuar edhe një ndeshje miqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›