E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP: Masa për 18 zyrtarë shtetërorë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive masa ndaj 18 zyrtarëve që fshehin pasurinë


TIRANË- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka vendosur sanksione për 18 zyrtarë të administratës publike që kanë probleme me deklaratën e tyre të pasurisë. Burimet zyrtare të ILDKP-së pohuan se në tre raste janë dorëzuar edhe padi penale në Prokurori.


Pjesa më e madhe e zyrtarëve, për të cilët janë aplikuar masat shtrënguese janë punonjës të administratës doganore dhe tatimore. Sipas zëdhënësit Albi Serani, gjatë dy muajve të fundit, kallëzimet penale janë për fshehjen e pasurisë dhe deklarim të rremë.


Ndërsa ndaj 15 zyrtarëve të tjerë është aplikuar masa administrative me gjobë pasi nuk kanë shmangur konfliktin e interesave në afatin e përcaktuar dhe sipas parashikimeve ligjore. 14 prej zyrtarëve janë gjobitur me vlerën 100 mijë deri në 200 mijë lekë të reja, kurse rasti i 15-të është në proces zgjidhjeje.


Sipas Zyrës për shtyp të ILDKP-së, dy zyrtarët e kallëzuar penalisht dhe shtatë të gjobitur për konflikt interesi janë pjesë e organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe degëve të saj në rrethe. Ndërsa një zyrtar i kallëzuar penalisht dhe katër të tjerë të gjobitur për konflikt interesi janë pjesë e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.


Katër zyrtarët e tjerë të gjobitur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive janë drejtues të pushtetit vendor; një kryetar bashkie dhe një kryetar komune në Jug të Shqipërisë, një kryetar komune në Qarkun e Tiranës dhe një kryetar komune në Qarkun e Shkodrës.


Rastet e evidentuara të shkeljes së ligjit nga ana e 18 zyrtarëve të administratës publike, njofton ILDKP, u mundësuan si pasojë e përmirësimit të teknikave të hetimit administrativ.


ILDKP është Autoriteti Qendror Përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Konkretisht, Inspektorati i Lartë drejton dhe përmirëson politikat e parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave; ofron asistencë teknike për këshillimin dhe mbështetjen e nismave ligjore e nënligjore të ndërmarra nga institucionet publike për parandalimin e konfliktit të interesave; monitoron, kontrollon dhe vlerëson zbatimin e këtij ligji etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›