ILDKP, akses online në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme
MD-ILDKP, memorandum për regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme
Sistemi dixhital i pasurive te paluajtshme, nga sot i vihet ne dispozicion Inspektoratit te Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në mënyre që të gjithë pasuritë e nëpunësve publikë, të familjarëve të tyre dhe të personave të lidhur të verifikohen online brenda pak minutave.
Ky ishte edhe qëllimi i nënshkrimit të Memorandumi të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive “Për aksesin online në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme”, nga Ministri i Drejtësisë z. Eduard Halimi dhe kreu I ILDKP-së z. Adriatik Llala.
“Nëpërmjet këtij memorandumi, Qeveria tregon edhe njëherë vullnetin dhe angazhimin maksimal për të siguruar të gjitha mjetet e nevojshme dhe instrumentet ligjore dhe ekzekutive për forcimin institucional. Kjo tregon edhe njëherë vendosmërinë e palëkundur te qeverise për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe te gjithë formave te shfaqjes se tij” –u shpreh ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi.
Në fjalën e tij Kreu i ILDKP-së Adriatik Llala e vlerësoi marrëveshjen e sotme si një hap të rëndësishëm dhe pozitiv në forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, që ndikon në marrjen në kohë reale të hetimit dhe në uljen e kostos financiare dhe njerëzore dhe ka si qëllim forcimin e shtetit ligjor.
Pak kohë me pare është krijuar arkiva dixhitale në ZRPP, portalin e shërbimeve online te regjistrit te pasurive te paluajtshme dhe sistemi “One stop shop” për noterët. Por ky projekt do të ndihmojë jashtëzakonisht dhe për luftën ndaj korrupsionit ne drejtësi sepse duke i dhëne ILDKP aksesin online për hetime, do t’i japë mundësi asaj që të hetojë në mënyrë më të shpejtë dhe efikase pasuritë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjithë familjarëve të tyre apo njerëzve të lidhur me ta.
Në çdo moment, nga sot, vetëm brenda pak minutave ILDKP do ketë mundësi të verifikojë pasuritë e paluajtshme, të të gjithë zyrtarëve dhe njerëzve të lidhur me ta, të ministrave, deputetëve, zyrtarëve të pushtetit qendror dhe atyre të pushtetit lokal.