E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritan Shehu: Kryeprokurori? E zgjedh Nishani, s’do ketë pakt PD-LSI. Sula: Të ketë mbështetjen e të gjithë klasës politike

28-08-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca thekson se mbështetja e gjerë politike do të ishte në favor të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme

Deputeti demokrat, Tritan Shehu, duke folur për kryeprokurorin e ri, ka thënë se zgjedhja e tij është një e drejtë kushtetuese e presidentit Bujar Nishani.
Në një deklaratë për mediat ai thotë se kryeprokurori i ri nuk do të dalë nga një marrëveshje PD-LSI. Kjo, pasi sipas Shehut, zgjedhja e kryeprokurorit të ri është një çështje institucionale dhe jo politike. Pra, një zgjedhje që i takon presidentit Nishani.
Ndërkohë, në lidhje me debatin e imunitetit, në të njëjtën linjë me qëndrimin e kryeministrit Berisha, ai e sheh referendumin si të vetmen rrugë për kufizimin e imunitetit.
“Opozita kërkon ta kushtëzojë me elementë të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me imunitetin vetëm për ta bllokuar dhe si rrjedhojë nuk shoh zgjidhje tjetër veçse heqjen e tij me referendum”- tha ai.
Sipas Shehut, referendumi nuk do të përbëjë një test për mazhorancën, e cila sipas tij, do jetë fituese e zgjedhjeve të 2013-ës.

Dashnor Sula
“Kryeprokurori i ri duhet të gëzojë mbështetjen e të gjithë klasës politike”. Ky është mendimi i deputetit demokrat Dashnor Sula, i cili argumenton këtë qëndrim me faktin se mbështetja sa më e gjerë politike, do të ishte në favor të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sa i takon çështjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë, ligjvënësi demokrat, thotë se shpresa për ta votuar në shtator nuk është shuar, nisur edhe nga fakti se në seancën e 6 gushtit, drafti i paraqitur për ndryshime kushtetuese, nuk u hodh për votim.
Por, duke analizuar qëndrimin e Partisë Socialiste, e cila ka kushtëzuar votimin e imunitetin me ndryshime të tjera kushtetuese, deputeti Sula thotë se duket qartë se qëllimi i vërtetë është bllokimi.
Zoti Sula, duke mbështetur mbajtjen e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, thekson se kërkesa që mazhoranca pritet të paraqesë në Kuvend në javët e para të muajit shtator, mbështetet në nenin 150, pika 2 e Kushtetutës, sipas të cilit 1/5 e deputetëve, pra 28 nënshtrues, mund të marrin iniciativën ligjore për t’iu drejtuar qytetarëve për sa i përket referendumit për çështje të caktuara.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›