E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP zbardh pasuritë e ministrave për vitin 2011

Ministrat kryesore të qeverisë Berisha kanë përfituar edhe gjatë vitit 2011 miliona lekë të ardhura nga pagat e larta, dietat, shpërblimet, qiratë apo shitja e pronave. Të dhënat janë bërë publike nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, raporton Vizion Plus.

Bie në sy se ndër më të pasurit ndër anëtarët e kabinetit është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ajo ka fituar nga paga rreth 1 milionë e 400 mije lekë, por ajo që e shton pasurinë e ministres Bregu janë të ardhurat e bashkëshortit me 48 mijë euro, si dhe 27 mijë euro të tjera nga një ambient i dhënë me qira.

Kreyparlamentarja Topalli ka përfituar në një vit nga paga dhe shpërblimet 35 milionë lekë, ndërsa nga bashkëshorti si noter afro 40 milionë lekë të vjetra. Zonja Topalli gjithashtu ka përfituar edhe 20 milionë lekë nga kompensimi si ish-pronare.  Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, rezulton që për vitin 2011 ka përfituar 20 milionë lekë, ndërsa bashkëshortja 12 milionë lekë. Por ajo që rrit pasurinë e ministrit Bumçi është qiraja e ambienteve të ndryshme, e cila kap vlerën e 33 mijë eurove.  Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka pasur të ardhura në masën 17 milionë lekë si ministër, ndërsa bashkëshortja 10 milionë leke si pedagoge dhe 30 mijë euro si kuratore arti.

Kryeministri i vendit, Berisha rezulton të ketë të ardhura vetëm nga pagat e tij dhe pensioni i bashkëshortes në masën e 28 milionë lekeve.

Ndërsa ish-kreu i shtetit shqiptar Bamir Topi, 25 milionë lekë i ka përfituar si të ardhura nga paga e shpërblimet, 9 milionë nga e shoqja dhe 14 milionë nga vajza. Zoti Topi ka përfituar edhe 36 milionë lekë të vjetra nga kompensimi i pronave.

Pothuajse në të gjitha deklaratat e pasurisë së ministrave thuhet se të ardhurat veç pagës dhe dietave, kanë ardhur edhe në formën e dhurimeve apo të fitimeve nga familjarë të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›