Vidhet banesa, autorët marrin 30 mijë euro
Vjedhje spektakolare në një banesë në lagjen "Ali Demi", autorët marrin 30 mijë euro, një televizor plazma, një sasi bizhuterish si dhe sende të tjera personale të familjes që banonte në apartamentin e vjedhur. Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite në rrugën "Shyqyri Ishmi", në katin e dytë të një pallati, në banesën e Florian Çaushit, 34 vjeç, shofer kamioni i linjave të gjata për jashtë shtetit. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur gjatë ditës së mërkurë, kur Çaushi, ka qenë së bashku me familjen e tij në plazhin e Durrësit, ndërsa autorët kaë hyrë në banesën e tij. Mësohet se autorët kanë hyrë në banesë pa thyerje duke shfrytëzuar hapjen e derës ndoshta me çelës.
Si kanë hyrë në banesë autorët kanë marrë që andej një televizor, sende të ndryshme dhe bizhuteri, por mes tyre në një peshqir në dollapin e rrobave, autorët kanë gjetur edhe shumën e majme prej 30 mijë eurosh. Pasi kanë gjetur paratë, autorët janë larguar pa u vënë re. Ndërkaq policia është njoftuar nga i dëmtuari i cili është kthyer nga plazhi, rreth orës 18:00 të të mërkurës ndërsa ka parë shtëpinë e tij në rrëmujë totale. Pas këtij konstatimi, kamionisti ka denoncuar në polici vjedhjen e cila ka nisur hetimet.