E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILKPD: Strategjia e re për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve



Shaban Sulçe

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive paraqiti dje strategjinë e re për të luftuar korrupsionin dhe konfliktin e interesave në radhët e zyrtarëve. Strategjia e re e ILDKP-së u prezantua dje nga kryeinspektori Adriatik Llalla, gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të rreth 100 institucioneve qendrore, me drejtues të agjencive shtetërore që kanë për objekt të punës së tyre luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, si dhe me partnerë ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me ILDKP-në. Strategjia e re konsiston në tri pika të rëndësishme. Sipas Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së Adriatik Llalla: “Për vitin 2009, strategjia dhe prioriteti i Inspektoratit të Lartë do të jetë ndërmarrja e rolit kontrollues dhe jo vetëm parandalues, gjë që do të thotë që Autoritetet Përgjegjëse dhe vetë zyrtarët do të marrin përgjegjësitë që u takojnë në parandalimin e konfliktit të interesave dhe të intensifikimit të luftës kundër korrupsionit. Shkëmbimi i informacionit në kohë reale dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara, puna parandaluese, informuese, edukuese dhe masat ndëshkuese ndaj elementit korruptiv në administratën publike, është e rëndësishme që të funksionojnë në harmoni dhe ndërveprim me njëra-tjetrën, pasi vetëm në këtë mënyrë do të japin produktin që pret opinioni publik nga institucionet shtetërore”.

Strategjia
Tri pikat mbi të cilat do të mbështetet strategjia e re e ILDKP-së janë: forcimi i kontrollit mbi institucionet publike për zbatimin e ligjit për deklaratat e pasurive; hartimi i një formulari të ri për këtë deklaratë, në të cilën do të deklarojnë pasuritë edhe fëmijët dhe prindërit e subjekteve; forcimi i masave ndëshkuese në Kodin Penal.
“Inspektori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, paraqiti planin që mbështetet në tri pika të rëndësishme. Së pari, forcimi i kontrollit mbi institucionet publike për zbatueshmërinë e Ligjit Nr.9367, dt.7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe Ligjit Nr.9049, dt.10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Pika e dytë është rimodelimi i dokumentit zyrtar “deklaratë e interesave private”, në të cilin sanksionohet detyrimi ligjor për të deklaruar, së bashku me subjektet, edhe fëmijët madhorë të tyre, të cilët gjenden jashtë certifikatës familjare, si edhe detyrimi që subjektet të vendosin emrat e prindërve të tyre dhe prindërve të bashkëshortit/es në formularin e pasurisë. Kjo masë do të ndihmojë në evidentimin, parandalimin dhe shmangien e konfliktit të interesave, pasi duke patur dijeni mbi personat e lidhur me zyrtarin, do të jetë më e lehtë për të zbuluar rastet e përfitimit të paligjshëm nga fondet publike të ”personave të lidhur” me subjektin, sipas kuptimit të ligjit.
Pika e tretë e strategjisë është propozimi për parashikimin në Nenin 257/a të Kodit Penal të masave ndëshkuese edhe për personat e lidhur me zyrtarët që mbartin detyrimin për deklarim sipas ligjit, në rastet kur këta të fundit refuzojnë të deklarojnë ose fshehin pasurinë që kanë të regjistruar në emrin e tyre”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Listat
Inspektori i Përgjithshëm Llalla tha se askush prej zyrtarëve që janë subjekte të ligjit për deklaratat e pasurive nuk mund t’i shmanget detyrimit ligjor, ndërkohë që theksoi se ILDKP-ja tashmë ka rekorduar listat me emrat e të gjithë zyrtarëve që përfshihen në këtë ligj. “Këto ditë, Inspektorati i Lartë po kryen rakordimet e listave të zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim periodik/vjetor dhe konstatohet që ende ka probleme në sistemimin e zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim. Mendoj që kjo situatë duhet përmirësuar dhe nëse do të jetë e nevojshme marrja e masave ndaj kujtdo që nuk përmbush detyrimet e tij ligjore, atëherë do të ndiqet edhe kjo praktikë, do të zbatohen masat ndëshkuese të parashikuara në ligj. Megjithatë, Inspektorati i Lartë shpreson që të mos arrihet në këto faza, pasi besojmë se angazhimi juaj dhe i të gjithë zyrtarëve do të jetë i një niveli të tillë që të marrë vlerësime pozitive”, - tha Llalla.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›