E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Bode mashtroi, nuk kemi dhënë konsensus për reformën e pensioneve



Partia Socialiste akuzon ministrin e Financave, Ridvan Bode, se ka mashtruar në mënyrë të turpshme në lidhje me çështjen e reformës së pensioneve. Nënsekretari për Programin në selinë rozë, Ilir Beqja, tha se nuk është aspak e vërtetë deklarata e ministrit Bode, sipas të cilit Partia Socialiste kishte dhënë konsensusin e saj në komisionin e ekonomisë për reformën e pensioneve. Denoncojmë diversionin e ulët të bërë nga drejtues të Ministrisë së Financave për reformën e pensioneve. Po mbyllet muaji janar i vitit 2009 dhe profili social i qeverisë së kryeministrit Berisha vazhdon të rrënohet. Së fundmi, qeveria po miraton uljen e përqindjes së kontributeve të detyrueshme në përpjekje të dëshpëruar për të ulur barrën e kostos së fuqisë punëtore te sipërmarrësit. Në këtë përpjekje të dështuar, qeveria rreket të bëjë palë edhe opozitën duke bërë një diversion të fëlliqur në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit. Në mbledhjen e këtij Komisioni, ditën e hënë, drejtues të lartë të Ministrisë së Financave kanë gënjyer kur kanë deklaruar se opozita ka qenë dakord për këtë reformë të qeverisë. Si i mandatuar nga Partia Socialiste për të marrë pjesë në grupin e reformës së pensioneve, deklaroj me përgjegjësi të plotë se në asnjë nga 5 mbledhjet e këtij grupi, qeveria nuk ka paraqitur asnjë opsion për reformë. Për etikë profesionale, nuk dëshiroj të bëj sot publike procesverbalet e mbledhjeve të grupit të punës”, - tha Beqja.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›