ILO-IPEC largon 850 fëmijë nga puna e rrugës
Rreth 850 fëmijë në Tiranë, Korçë, Berat dhe Elbasan janë larguar prej fillimit të vitit nga puna e rrugës apo aktivitete të paligjshme, falë zbatimit të programit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës( ILO) mbi Eliminimin e Punës së Fëmijëve (IPEC), bëri të ditur Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Sipas burimeve të kësaj ministrie, gjatë zbatimit të këtij programi u vërejt se shumica e 850 fëmijëve tashmë të larguar nga puna e rrugës apo aktivitetet e paligjshme, ishin të përfshirë edhe më parë në format më të këqija të punës. Zbatimi i programit ILO-IPEC u ka ofruar mësimin në klasa të veçanta për të plotësuar boshllëqet si pasojë e mosfrekuentimit të shkollës.
Programi Ndërkombëtar i ILO-s mbi Eliminimin e Punës së Fëmijëve u krijua në vitin 1992. Në dhjetor 2007 Programi i ILO /IPEC vepronte në 88 vende. IPEC është programi më i gjerë botëror i llojit të vet dhe programi i vetëm operacional më i gjerë. ILO-IPEC ka bërë shumë ndryshime në shumë vende nëpërmjet punës me qeveritë dhe partnerë të tjerë në nivel politikash dhe duke bërë të mundur që programi të asistojë fëmijë të veçantë.
Në periudhën midis 2006-2007 programet e mbështetura nga ILO-IPEC në vende të ndryshme, siguruan shërbim për të ndihmuar pothuajse 430.000 fëmijë që ishin ose të përfshirë ose në rrezik pune. Nga ky numër, më shumë se 203.000 fëmijë u tërhoqën nga puna. Shumica e tyre ishin të përfshirë më parë në format më të këqija të punës së fëmijëve.