ILO: Kriza ekonomike ka rritur diskriminimin në punë
Nëqoftëse je emigrant, femër apo njeri me ngjyrë, në këtë kohë të krizës ekonomike dhe sociale botërore, do ta kesh të vështirë të mbijetosh në vendin e punës. Emigrantët mbeten kategoria më e rrezikuar, për t’u diskriminuar në punë. Studimi më i fundit i Zyrës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë, tregon se pavarësisht zhvillimeve të vazhdueshme pozitive të legjislacionit kundër diskriminimit, kriza ekonomike dhe sociale botërore ka rritur rrezikun e diskriminimit për grupe të caktuara, si punëtorët migrantë. Raporti botërori titulluar ‘Barazia në punë’, mbi parimet themelore dhe të drejta në punë, citon organe për barazinë, të cilët kanë marrë një numër në rritje ankesash çka dëshmon se diskriminimi në vendin e punës është bërë më i larmishëm, dhe se diskriminimi mbi baza të shumëfishta po bëhet rregulli dhe jo përjashtimi. “Kohërat e vështira ekonomike janë një terren i favorshëm për diskriminim në punë dhe më gjerë në shoqëri. Ne e vërejmë këtë gjë me rritjen e zgjidhjeve populiste”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, z. Juan Somavia, duke shtuar se “kjo kërcënon arritjet e disa dekadave”. Në të njëjtën kohë, raporti paralajmëron se në periudha rënieje ekonomike, ekziston një tendencë për t’i dhënë prioritet më të ulët politikave anti-diskriminuese dhe të drejtave të punëtorëve në praktikë. Po sipas raportit të ILO-s, masat e rrepta dhe shkurtimet në buxhetin e administratës së punës dhe shërbimeve të inspektimit, si dhe fondeve në dispozicion të organeve të specializuara që merren me barazinë dhe mos-diskriminimin, mund të kompromentojnë në mënyrë serioze aftësinë e institucioneve ekzistuese për të parandaluar që kriza ekonomike të shkaktojë më shumë diskriminim dhe pabarazi. Raporti i ILO-s citon një sërë diskriminimesh në punë duke nisur që nga ngacmimi seksual, racizmi, emigrantët, etj. Duke iu referuar raportit në fjalë, ai vëren se, progres i rëndësishëm është shënuar në dekadat e fundit në përmirësimin e barazisë gjinore në botën e punës, megjithëse, diferenca në pagë vazhdon të ekzistojë, ku pagat e femrave janë mesatarisht sa 70 deri 90 për qind e pagave të meshkujve. Megjithëse janë prezantuar rregulla më elastike përsa i përket orarit të punës si element politikash më të favorshme për familjet, diskriminimi që ka të bëjë me shtatzëninë dhe amësinë vazhdon të jetë i zakonshëm. Përsa i përket ngacmimit seksual, raporti vëren se, është një problem i rëndësishëm në vendin e punës duke cituar se më të prekura janë femrat në moshë të re, me varësi ekonomike, femrat beqare apo të divorcuara dhe punëtorët migrantë, ndërkohë që meshkujt që kanë pasur eksperienca ngacmimi seksual priren të jenë të rinj, homoseksual ose anëtarë të minoriteteve etnike apo raciale. Ndërsa për punëtorët migrantë, raporti i ILO, tregon se ata përballen me diskriminim të gjerë përsa i përket aksesit në punësim, dhe shumë prej tyre diskriminohen mbasi punësohen, përfshirë këtu dhe pjesëmarrjen në programet e sigurimeve shoqërore. Sipas raportit në fjalë, në Bashkimin Evropian, 64 për qind e personave të intervistuar presin që kriza ekonomike të sjellë si pasojë në tregun e punës më shumë diskriminim për shkak të moshës. Nga ana tjetër, raporti botëror rekomandon në lidhje me diskriminimin në punë, zhvillimin e kapacitetit institucional të partnerëve të ILO-s për implementimin më efektiv të të drejtës themelore të mos diskriminimit në punë; dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar me aktorë të rëndësishëm për barazinë. Gjithashtu, raporti rekomandon se kombinimi i politikave për rritje ekonomike me politika punësimi, mbrojtjeje shoqërore dhe të drejtash në punë, duke mundësuar që qeveritë, partnerët socialë dhe shoqëria civile të punojnë bashkërisht, përfshirë këtu dhe ndryshimin e sjelljes nëpërmjet edukimit është përgjigjja e dukur.