E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria plotëson kërkesat e paraplegjikëve



Nafta dhe shoqëruesit, në bazë të kërkesës së invalidëve

Paketa higjeno-sanitare rritet në 16 mijë lekë

Kërkesat e tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve u plotësuan dje nga Këshilli i Ministrave. Qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme nënligjore, duke rritur paketën higjenike, sasinë e naftës dhe duke siguruar shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë veprim si një akt që tregon ndjeshmërinë e qeverisë shqiptare ndaj kësaj shtrese në nevojë. “Me ndryshimet e miratuara rritet me mbi 60 për qind trajtimi i këtij kontigjenti, krahasuar me vitin 2005”, – tha z. Berisha.

Kërkesat

Kërkesat e tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve që kishin hyrë në grevë urie, u plotësuan në një masë të konsiderueshme sipas specialistëve në Ministrinë e Punës. Kërkesa e tyre për naftë dhe për sigurimin e shoqëruesve u plotësua 100 për qind. Ndërsa kërkesa për rritjen e sasisë së paketës higjeno-sanitare u plotësua në masën 50 për qind.

“Jemi bërë dëshmitarë të një greve të paraplagjikëve, qytetarë që përbëjnë, ndoshta, kontigjentin e qytetarëve më të rënduar. Qeveria ka pasur një qëndrim mbështetës konstant ndaj tyre, – tha Kryeministri. – Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e saj dhe pavarësisht nga qëndrimet e individëve të caktuar që numërojnë nga 3-4 vila, qeveria në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk heq nga fokusi dhe nga vëmendja qytetarët me paaftësi të shkallëve të ndryshme, në radhë të parë paraplegjikët”.

Paketa higjenike

Në këtë mënyrë, nga 29 mijë lekë të reja që kërkonin paraplegjikët, qeveria e rriti dje masën financiare të paketës higjenike në 16 mijë lekë, nga 12 mijë lekë që ishte deri tani. Kryeministri deklaroi se kjo rritje, brenda mundësive të buxhetit, është 80 për qind në krahasim me masën që jepte qeveria socialiste deri në vitin 2005.

“Qeveria akordon për paketën higjeno-sanitare të tyre shumën prej 120 mijë lekë, kundrejt vetëm 90 mijë lekë që ia akordonte qeveria e mëparshme. Dhe sërish, me vendimin e sotëm, ne e rrisim atë në shumën 160 mijë lekë, pra, e rrisim mbi 80 për qind nga vlera që e gjetëm prej 90 mijë lekë”, – tha Berisha.

Nafta

Për sa i përket naftës së dhënë, kërkesat e tetraplegjikëve u plotësuan në masën 100 për qind. 20 personat me aftësi të kufizuara që kishin hyrë në grevë urie pak ditë më parë, kishin kërkuar që të merrnin 80 litra naftë çdo muaj për të përballuar transportin e tyre në rrugë të afërta.

Sipas tyre, pamundësia për të lëvizur, për shkak të sëmundjes, i detyronte që të harxhonin qindra mijë lekë, por tashmë ata do të kenë në dispozicion 80 litra naftë çdo muaj. “Kjo është një sasi për t’u përshëndetur dhe jo për t’u qortuar. Qeveria ka gjetur një kuotë prej 60 litrash”, – tha Kryeministri.

Shoqëruesit

Kërkesa e tretë e paraplegjikëve kishte të bënte me shoqëruesit e tyre. Ata kërkonin që shoqëruesit të merrnin pagën minimale të përcaktuar nga qeveria, si edhe t’u paguheshin nga shteti sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, sikur të ishin të punësuar të administratës.

Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Punës, miratoi dje kërkesën e tyre të dytë, ndërkohë që për pagën e kërkuar u vendos që ajo të jetë e barabartë me pensionin minimal të qytetit, pra 10 mijë lekë. “Qeveria e konsideron plotësisht të drejtë kërkesën e tyre që personi kujdestar të gëzojë sigurimin shoqëror dhe ofron për këta persona pensionin bazë minimal të qytetit”, – tha Kryeministri Berisha.

Keqtrajtimi politik

Ndërkohë, Kryeministri akuzoi edhe kundërshtarët politikë, të cilët shpejtuan të deklaronin se qeveria i ka lënë në harresë paraplegjikët. Berisha tha se kjo ishte një tentativë për të nxjerrë përfitime politike nga fatkeqësia e të tjerëve, duke e cilësuar çnjerëzore dhe turp një veprim të tillë.

“Për kushtet e vendit, - theksoi Kryeministri - ne kemi treguar ndjeshmëri maksimale dhe sërish do ta tregojmë ndaj tyre. Natyrisht, disa politizime që ne konstatuam, ishin shumë të padenja për ata që përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga këta njerëz të goditur nga një problem madhor, gjë që është çnjerëzore dhe e turpshme”, - tha Kryeministri.

Ai deklaroi se e gjithë kjo ndodhte teksa administrata dhe drejtuesit politikë të saj po përllogarisnin se cilat ishin mundësitë financiare të shtetit.

“Mesazhet që dërgonin përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj tyre, duke i shtyrë drejt sakrificave, në një kohë kur ne po bënim përllogaritjen, është vërtet një gjë shumë e rëndë. Megjithatë, këto probleme marrin përgjigjen më të mirë sot, me vendimet e qeverisë”, - theksoi Berisha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›