Financat, marrin paratë 60 të përndjekurit e parë
Dëmshpërblimi / Ministri i Financave çon pranë BSH-së listën për kalimin e parave në llogaritë personale të ish–të dënuarve
Janë 60 ish-të përndjekur politikë që do të marrin të parët paratë e dëmshpërblimit për dënimet që kanë vajtuar në kohën e diktaturës komuniste. Ministria e Financave bëri me dije dje se ka nisur transferimin e parave në llogaritë e ish-të dënuarve politikë.
Paratë si fillim do të kalojnë në llogaritë personale të 60 ish-të dënuarve, të cilët tashmë kanë plotësuar dokumentacionin e duhur. Janë 1.400 të përndjekur që do të përfitojnë dëmshpërblim, në bazë të një liste të publikuar ditë më parë. Bankat e autorizuara për çeljen e këtyre llogarive janë: Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, Banka Kombëtare Greke, BKT, Tirana Bank, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare
Nis shpërndarja e parave për të përndjekurit politikë që vuajtën persekutimin në kohën e diktaturës. Të parët nga lista e 1400 personave do të jenë 60 përndjekur që do të tërheqin në llogaritë personale paratë që do të disbursohen nga shteti. Ministria e Financave konfirmoi dje se ka nisur transferimi i parave në llogaritë personale të ish-të dënuarve politikë. Secili nga 60 personat që tashme ka plotësuar dokumentacionin përkatës do të gjejë në llogarinë personale paratë që i takojnë dhe mund t’i tërheqë ato në çdo kohë, në një nga bankat e nivelit të dytë, të autorizuara për këtë transaksion. Ministria e Financave njofton se ka dërguar për në Bankën e Shqipërisë shkresën zyrtare për kalimin e parave për llogari të 60 ish-të dënuarve të parë, që kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Pas publikimit të listës me rreth 1400 ish-të përndjekur që u verifikuan nga ministritë e linjës, Ministria e Financave bëri publike në media se ishin autorizuar 8 banka të nivelit të dytë, ku ish-të përndjekurit e listës zyrtare do të mund të hapnin llogaritë depozitë për të marrë dëmshpërblimin. Deri më tani, rreth 60 shtetas shqiptarë kanë përmbushur këtë detyrim, i cili është pasuar me çeljen e fondit nga ana e Ministrisë së Financave. Ndërkohë Ministria e Financave rikujton se në zbatim të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, si dhe VKM nr. 1699, datë 29.12.2008 “Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist për vitin 2008”, të gjithë personat e listuar në këtë vendim duhet të hapin llogari depozite në një nga bankat e përzgjedhura sipas ligjit, neni 33. Me hapjen e llogarisë personat do të depozitojnë fizikisht në degët e thesarit të çdo dege vërtetimin/konfirmimin për emër, atësi, mbiemër dhe numrin e llogarisë në formë të shkruar. Me përcjelljen e këtij informacioni nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave, kjo e fundit do të procedojë pagesat për në llogaritë e përfituesve. Bankat e autorizuara për çeljen e këtyre llogarive janë: Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, Banka Kombëtare Greke, BKT, Tirana Bank, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare.