E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e re pa zanatçinj politikë

Gjatë një interviste në “Zëri i Amerikës” nga Denver i Kolorados, ku merr pjesë në Konventën e Demokratëve amerikanë, Edi Rama ka dhënë refleksionet e tij rreth politikës shqiptare nisur nga mesazhet e dhëna në këtë konventë. 

Aristir Lumezi

 Duke vlerësuar solidaritetin e demokratëve amerikanë, Rama tha se politika e re që ai kërkon të ngrejë nuk duhet të jetë monopol i zanatçinjve politikë, ndërsa shprehet se bashkimi i ri me shqiptarët do realizohet edhe pa ndonjë parti politike që vepron me politikën e vjetër.
Megjithatë ju i shihni këto si kaq të natyrshme, në këtë vend me një demokraci me rrënjë të thella e të stabilizuara. Por një vend si Shqipëria që hedh akoma hapa të paqëndrueshme, çfarë mund të sillet nga kjo përvojë që ju mendoni se ka ardhur koha tani të vendoset atje dhe të zbatohet?
Politika e mirë, politika e njerëzve, politika me njerëzit dhe për njerëzit, nuk është një çështje e traditës, por është një çështje e pasionit politik, e traditës pozitive. Këtë pasion, vullnet, energji, ne duhet t’i zbulojmë tek njëri-tjetri dhe duhet t’i bashkojmë për t’i dhënë jetë në Shqipëri një ndryshimi të ri e të madh, i cili nuk është ndryshimi mes një qeverie e një tjetre, një ngjyre politike e një tjetre, por është ndryshimi themelor, rrënjësor i pakthyeshëm nga një politikë e vjetër, nga një politikë zanatçinjsh që e kanë kapur peng procesin politik, e që duke e kapur peng procesin politik i kanë privuar të gjithë të tjerët nga pjesëmarrja. Kjo që shikojmë ne këtu sot është shfaqja e pjesëmarrjes së madhe qytetare, e pjesëmarrjes së madhe të gjithë atyre njerëzve që duan të japin një kontribut për vendin e tyre, që nga qytetarët më të thjeshtë e deri tek kandidati për president i SHBA-ve. Kjo shfaqje duhet t’u tregojë të gjithëve se politika nuk duhet të jetë pronë e një grushti njerëzish, se kur ajo është pronë e një grushti njerëzish, siç është në Shqipëri atëherë edhe vendi mbetet peng, edhe ëndrrat vriten dhe rivriten edhe shpresat varrosen e rivarrosen dhe për këtë arsye edhe mesazhi i politikës së re. Në Shqipëri ka nevojë për një politikë të re, një politikë me njerëzit dhe për njerëzit.
Megjithatë pjekuria politike është ajo që kërkohet dhe duhet respektuar siç thatë ju, që politika nuk duhet të jetë monopol...
Nuk duhet respektuar, duhet ndryshuar, transformuar rrënjësisht në Shqipëri, sepse të respektosh këtë proces në Shqipëri do të thotë të respektosh abuzimin me të vërtetën, akuzën e pabazë, mungesën e etikës, të respektosh një status-quo të tmerrshme që ka bërë që të gjithë njerëzit normalë ku mund t’i përmbledhin të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të dëgjohen janë dashur t’i qëndrojnë politikës larg dhe ta shohin politikën si një shfaqje të neveritshme, ndërkohë që politika është shfaqja më e bukur e pasionit njerëzor për të ndryshuar jetën e përbashkët dhe në këtë sens këto konventa janë për të konfirmuar një kuptim të përbashkët. Është domosdoshmëri që t’i kapërcejmë kufijtë, edhe këtu flitet për t’i kapërcyer kufijtë përtej atyre që janë vendosur, përtej atyre barrikadave që janë ngritur mes të kuqve dhe bluve, përtej tifozllëkut politik dhe duke marrë një shprehje të bukur nga një fjalim i konventës, nuk është fjala për të zgjedhur nëse do të shkojmë majtas apo djathtas, por është fjala nëse do të shkojmë lart apo poshtë.
Unë në fakt po flisja për përvojën e këtushme lidhur me procesin politik, një proces i paanshëm që kur përfundon pranohet nga ai që mund të jetë në anën e humbësit, pranon votën e përgjithshme dhe procesin e mirëfilltë, siç ndodh tani me senatoren Klinton, e cila do të vijë në këtë sallë për t’u bërë thirrje delegatëve të mbështesin senatorin Obama. Ju keni pasur përçarje në të majtën dhe probleme të tilla, çfarë mësoni ju nga kjo përvojë?
Së pari, më lejoni t’ju them që unë kampin politik e shoh shumë më gjerë sesa kufijtë e vjetër mes partive, e bëj këtë sepse është koha t’i japim një horizont të ri të gjithë atyre që duan një ndryshim të vërtetë në Shqipëri. Duke parë natën e sotme, ku do të ndrisë ylli i Hilari Klintonit nën qiellin e Konventës, ky është përsëri një mësim i madh, një shembull i shkëlqyer i asaj ç’ka është politika, ajo nuk është një hapësirë ku ai që fiton zhbën të tjerët, ashtu sikurse nuk është një hapësirë ku ai që humbet, humbet përgjithmonë, por është një hapësirë ku afirmohen vlera, ku së bashku punohet për një program, luftohet për disa objektiva, ku krijohet ajo energji e madhe pozitive që po krijon kjo konventë me këtë solidaritet të jashtëzakonshëm mes dy rivalëve të mëdhenj të të gjithë këtij viti paraelektoral në Amerikë, Barak Obamës dhe Hilari Klintonit, e cila sot është këtu për të ftuar të gjithë, që me të në krye të mbështesin Barak Obamën. Ja kjo është politika si pasion për të ndryshuar jetën jo si zell për të shkatërruar tjetrin, kjo është politikë e alternativave që së bashku brenda një vizioni krijoi një sinergji, në program vlerash, një bashkësi idesh dhe objektivash dhe jo një rezultat mizerabël të një lufte shkatërrimtare mes personash, apo të një hakmarrjeje dhe mllefi personal që degradon deri në mohimin e së drejtës të qindra mijëra vetëve mbrapa për ta parë veten në pushtet.
Sa pranë jeni këtij bashkimi?
Ky bashkim po ndërtohet dhe këtu nuk ka rëndësi nëse një parti politike sillet në mënyrë të vjetër dhe do të vazhdojë në mënyrë të vjetër, rruga jonë e re është rruga e bashkimit të ri, këtë bashkim të ri ne po e bëjmë të mundur dhe përmes këtij bashkimi të ri ne duhet të fitojmë pa marrë parasysh një apo tjetër parti që vazhdon me mendësinë e vjetër, me punën e politikës së vjetër, me akuzat dhe mllefin e vjetër. Mllefi nuk është program, me të nuk ndërtohet e ardhmja, ne duam të ndërtojmë të ardhmen me një program të ri përmes një politike të re, e cila do të jetë politika e të gjithë atyre që duan të ndahen nga politika e vjetër me një shfaqje banale luftërash personale e një monopoli zanatçinjsh politikësh e një grushti njerëzish, të cilët duhet t’i hapin rrugë një politike qytetarësh, me qytetarët dhe për qytetarët.
Marrë nga
“Zëri i Amerikës”

Milo: LSI, partner i çmuar i së majtës
 
Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokracia Sociale synojnë që e majta të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e përgjithshme 2009. Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, iu përgjigj pozitivisht ftesës së bërë nga kreu i PDS-së, Paskal Milo, për të ndarë mes tyre qëndrimet rreth bashkëpunimit të ardhshëm të së majtës. Pas këtij takimi, Gjinushi tha se “po bisedohet që e majta të hyjë në mënyrë sa më të bashkuar, të optimizojë rezultatin e saj që në 2009-ën të fitohen zgjedhjet”. Ndërkohë, edhe Milo e ka  mbështetur këtë ide të Gjinushit, duke shtuar se “për të maksimizuar votën e së majtës, mbetet për të diskutuar në të ardhmen dhe me aktorët e tjerë politikë të së majtës, gjithmonë me synimin për të shkuar sa më të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Kreu i PDS-së u shpreh gjithashtu se, “LSI mbetet një partner i çmuar politik në të majtën shqiptare. Ne besojmë se ajo do të mirëkuptojë qëllimet tona”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›