E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armët në Gjeorgji, Rusia: S’kemi akuzuar Shqipërinë

 

ADI SHKEMBI

Rusia tërhiqet nga qëndrimi i saj fillestar dhe deklaron se nuk e ka akuzuar asnjëherë Shqipërinë se i ka shitur armë Gjeorgjisë.Pas deklaratës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ruse pak ditë më parë dhe kundërpërgjigjes së Kryeministrit Berisha, ka reaguar dje edhe kreu i ambasadës ruse në vendin tonë, Aleksandër Prishchepov. Sipas tij: “Deklarimet për tregti armësh i mësova në median shqiptare. Kërkova në adresën e Ministrisë së Mbrojtjes ruse, por nuk e gjeta. Rusia nuk e ka akuzuar Shqipërinë për shitje armësh. Ajo mund të jetë përmendur në një listë të vendeve që i kanë shitur armë Gjeorgjisë, por nuk shoh asgjë të keqe tek fakti që Shqipëria mund t’i shesë armë Gjeorgjisë, përndryshe ne do të kishim marrë veprime në rrugë diplomatike”, tha ambasadori Prishchepov. Ndërkohë që për marrëdhëniet mes dy vendeve, ambasadori rus në vendin tonë tha se, “Rusia ka qenë dhe mbetet për zhvillimin e tyre në të gjitha fushat, jemi të gatshëm të forcojmë marrëdhëniet tona aq sa pala shqiptare do të jetë e gatshme”. I pyetur për deklaratën e Kryeministrit Berisha se Rusia ka shpikur për shitjen e armëve të Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë, ambasadori Prishchepov nuk pranoi të komentojë, por shtoi se ka kërkuar takim me kreun e shtetit dhe kreun e qeverisë lidhur me këtë çështje. “Ju doni të më fusni në sherr me kryeministrin tuaj, por rregullat diplomatike nuk më lejojnë të komentoj deklaratat e tij. Kam kërkuar një takim me Kryeministrin dhe Presidentin tuaj për të sqaruar raportet mes dy vendeve”, u shpreh ambasadori rus. Në konferencën e djeshme për shtyp, ambasadori rus shpjegoi variantin e Moskës për luftën disa ditore në Gjeorgji. Sipas tij, gjithçka është një shtrembërim mediatik i bërë pikërisht nga presidenti i Gjeorgjisë. “Shtrembërimet” në media, kanë dy shkaqe: “Për shkak të largësisë së këtij rajoni” dhe punës së “kompanisë së mashtrimit që ka shpërthyer nga presidenti i Gjeorgjisë, Shaakashvili. Rusia e mori këtë hap aspak të lehtë, duke qenë e vetëdijshme për domosdoshmërinë e mbrojtjes së jetëve të njerëzve në këto dy republika të vogla para agresionit të Tbilisit”, tha ambasadori rus. Pak ditë më parë, Rusia ka akuzuar Shqipërinë se ka ndikuar në konfliktin Rusi-Gjeorgji, duke dërguar armë tek rivali i Moskës në këtë konflikt. Deklaratën e ka bërë zv.komandanti i Ushtrisë ruse, gjenerali Anatoli Nogovicin, i cili tha se, “Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit kanë furnizuar me armë Tbilisin”. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit Berisha, i cili në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij islandez deklaroi se, “Gjeorgjia është një vend mik yni dhe një vend demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend i tillë, në një situatë të vështirë. Të mendosh që Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, kjo është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vet dhe që pësoi agresion. Akuzat ruse nuk më çudisin aspak, sepse kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Për mendimin tim, qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm”.

Kushner: Moldavia dhe Ukraina, në rrezik
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner ka shprehur shqetësimin se njohja e republikave separatiste të ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik nga Rusia nuk do të ndalet me kaq. “Nëpërmjet njohjes së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, Rusia theu ligjet ndërkombëtare. Republika të tjera të ish-BS janë në rrezik ta gjejnë veten nën syrin e Kremlinit, si Ukraina, dhe veçanërisht Krimea apo Moldavia. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme”, paralajmëroi Kushner. “Ne nuk mund të pranojmë shkelje të tilla të ligjit ndërkombëtar, marrëveshjesh sigurie, bashkëpunimit Evropian, rezolutave të OKB dhe, për herë të parë pas shumë kohësh, pushtimin e një vendi fqinj”, theksoi Kushner.

Sekretarja Rajs: Rusia, për të ardhur keq! 
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, pas reagimit të presidentit Bush, i cili e vlerësoi si të papërgjegjshëm njohjen e dy republikave separatiste të Gjeorgjisë nga Rusia, tha në një konferencë shtypi në Ramallah të Bregut Perëndimor tha se vendimi i Moskës është për të ardhur keq. “Kjo, natyrisht vë Moskën në kundërshtim me një numër rezolutash të OKB-së në të cilat është palë si anëtare e OKB-së dhe si njëra prej 5 anëtareve të Këshillit të Përhershëm të Sigurimit. Armëpushimi flet gjithashtu lidhur me rëndësinë e lëvizjes përpara në drejtim të një zgjidhjeje ndërkombëtare të zonave të konfliktit. Pra, shkelja e këtyre diskutimeve ndërkombëtare është me të vërtetë për të ardhur keq. Për këtë gjë kanë paralajmëruar si Shtetet Bashkuara, ashtu edhe Evropa”, tha Rajs.

Majko: S’i kemi dhënë armë Gjeorgjisë
Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Pandeli Majko, mohon çdo akuzë sipas të cilës Shqipëria i ka shitur armë Gjeorgjisë. “Arsyeja ishte shumë e thjeshtë, ne kishim çështjen e Kosovës dhe Rusia ishte protektorja më e madhe e interesave të Serbisë për momentin, duke kundërshtuar çdo lloj veprimi në Këshillin e Lartë të Sigurisë. Prandaj ne nuk donim që Shqipëria të ndërmerrte një lloj hapi që do kishte më pas një reaksion negativ nga politika ruse. Ne kishim një politikë të faljes, të dhënies së armatimeve dhe e kemi bërë këtë me Afganistanin, me Irakun dhe mund ta bënim dhe me Gjeorgjinë, por në rastin e saj nuk e bëmë vetëm për faktin e sipërpërmendur”, u shpreh Majko. Ish-kryeministri shqiptar gjatë periudhës së konfliktit të armatosur të NATO-s në Kosovë, heq çdo vlerësim të barabartë mes çështjes së Kosovës dhe asaj të Osetisë. “Përsa i përket historisë se Shqipëria qenka në listën e vendeve furnizuese të Gjeorgjisë, mendoj se politika ruse duhet t’i përgjigjej në mënyrë të sinqertë pyetjes se a ka pasur në radhët e ushtrisë serbe vullnetarë rusë që kanë luftuar në Kosovë? Kjo do të ishte më e mira për të nisur një diskutim të sinqertë lidhur me pozicionin e Rusisë përballë shqiptarëve dhe Kosovës”, tha Majko.  

Medvedev: Osetia e Jugut dhe Abkhazia si Kosova, "sui generis" 
Presidenti rus, Dimitri Medvedev ka krahasuar rastin e Kosovës me atë të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë gjatë një interviste për CNN. Ai tha se edhe dy republikat separatiste, ku e para ka një popullsi të përzierë me jo më shumë se 70 000 banorë dhe tek e dyta, popullsia nuk kalon 200.000 banorë janë "sui generis" si Kosova!  
President Dimitri Medvedev, BE dhe SHBA kanë lëshuar deklarata të forta që ju të mos e njihni shkëputjen e territoreve të Abkhazisë dhe të Osetisë Jugore nga Gjeorgjia. Ndërkohë, ju vendosët t'i njihnit ato. A mund të interpretohet kjo si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit.
Jo, kjo nuk është një sfidë, por një vendimmarrje e menduar mirë. Një numër i konsiderueshëm rrethanash na e bënë të domosdoshme hedhjen e këtij hapi.
Por cilat janë këto rrethana?
Për më shumë se 17 vjet Rusia ka bërë maksimumin për të parandaluar këtë zhvillim. Bile, edhe kur Kosova u proklamua si një subjekt i ligjit ndërkombëtar, ne nuk e bëmë një pohim të ngjashëm në lidhje me këto dy republika. Ne u detyruam të njihnim pavarësinë e tyre, pasi u vranë mjaft njerëz. Kryerja e këtij hapi ishte rruga e vetme për të parandaluar një gjakderdhje të mëtejshme. Arsyeja e dytë është që çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes. Kjo është parashikuar në tekstin e Kartës së OKB-së, në konventa të rëndësishme ndërkombëtare apo Aktin Final të Helsinkit. Kolegët tanë në shumë raste kanë pohuar se Kosova ishte një "casus sui generis", një rast i veçantë. Por, në këtë rast, dhe ne mund të themi se Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë po ashtu një rast "sui generis".
Ju keni kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës sepse, sipas jush, kjo dhunonte ligjin ndërkombëtar. Sipas kësaj, dhe njohja e juaj e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë Jugore i dhunon të njëjtat ligje. A nuk është ky një standard i dyfishtë?
Jo, ne nuk mendojmë që këtu kemi një standard të dyfishtë. Në opinionin tonë, situata që u krijua në Kosovë nuk e meritonte këtë vendimmarrje dhe Kosova, në këtë kuptim, nuk i plotësonte kërkesat për t'u njohur si subjekt i ligjit ndërkombëtar. Situata është përkeqësuar prej 17 vjetësh në dy republikat e reja. Dhe për këtë ne besojmë që kemi bazën ligjore për të njohur pavarësinë e tyre.
President Medvedev, ju urdhëruat ndërhyrjen e forcave ruse në Osetinë Jugore apo në zona të tjera të Gjeorgjisë, nisur nga arsye që ju i quajtët humanitare. A do t'i dërgoni përsëri këto forca në Gjeorgji apo në vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik?
Unë tashmë e kam deklaruar se situata ka ndryshuar. Pas njohjes së pavarësisë së tyre, me firmën e hedhur në dekretin përkatës, vendi ynë natyrisht do të ndihmojë në garantimin e sigurisë në Osetinë Jugore dhe Abkhazi. Dhe po të ngjasë ndonjë sulm kundër tyre, ne do të japim padyshim të gjithë asistencën e nevojshme. Përsa i përket ndërhyrjes në zona të tjera, ne nuk kemi plane për ndonjë ndërhyrje të tillë. Por, Rusia është një shtet i pavarur dhe sovran dhe ajo ka të drejtën për të vendosur atë që duhet bërë për të promovuar interesat e saj, veçanërisht në zona përgjatë kufijve të saj. Kjo është evidente.
Zoti President, ju keni trashëguar presidencën ruse në një periudhë tepër intensive për marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin. Çfarë hapash dëshironi ju të shihni të ndërmerren nga presidenti i ardhshëm i SHBA-së për të rindërtuar një partneritet bashkëpunues me Moskën?
Ne do të jemi gati të punojmë me çdo administratë amerikane që zgjedh populli amerikan. Ne dëshirojmë të shmangim çdo lloj polemike apo një edicion të ri të Luftës së Ftohtë. Ne do të donim të kishim marrëdhënie konstruktive plotësisht të vlefshme me të gjithë partnerët tanë perëndimorë. Por për këtë kemi nevojë për një dozë pragmatizmi dhe respekti të ndërsjellë.
Por, President Medvedev, a besoni ju që kështu ne jemi në startin e një periudhe të gjatë të përkeqësimit të marrëdhënieve, nga mos të qenit dakord për një numër çështjesh, përfshirë Gjeorgjinë, mbrojtjen me raketa apo Iranin?
Po, kemi mosmarrëveshje. Por ato nuk janë fatale dhe nëse nuk i fryjmë ato përtej asaj që ato janë, nëse nuk tentojmë të startojmë një Luftë të Ftohtë të re, atëherë nuk ka pse ta kemi atë. Përsa i përket Iranit, nuk ka kontradikta madhore. Për sa i përket çështjes së mbrojtjes me raketa, ne e kemi shprehur pakënaqësinë tonë mbi këtë problem. Perceptimi ynë është se të gjitha këto sisteme armatimi janë duke u krijuar rreth kufijve tanë për të ushtruar një presion në rritje ndaj Rusisë. Për sa i përket Gjeorgjisë, gjithçka tashmë është e hapur përpara Perëndimit. Nëse vendet aty nuk e fryjnë atë drejt një konflikti të ri, por adoptojnë një përafrim pragmatik, atëherë gjithçka do të jetë në rregull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›