E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në port anija operacionale

 

DURRES - Mbërrin në portin e Durrësit anija "Iliria". Ky mjet patrullues, i aftë të përballojë operacionet në kushte të vështira moti është prodhuar në kantieret holandeze dhe i ka ardhur palës shqiptare me milje zero. Në plan të shpejtë për forcimin e rojës bregdetare shqiptare është ndërtimi i tre anijeve të tilla në Pashaliman. Shqipëria dhe Holanda kanë intensifikuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe në fushën e mbrojtjes. Luftanija P-131, "Iliria" ka mbërritur në portin e Durrësit mesditën e djeshme në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë, që kanë dy vendet në fushën e mbrojtjes. Anija patrulluese me gjatësi 42 metra është ankoruar në kalatën numër 5 të portit detar nën masa të rrepta sigurie. Kjo anije do të vihet menjëherë në dispozicion të marinës shqiptare. Ajo ka një thellësi zhytje 2.5 metra dhe provën e parë në det të trazuar e ka kaluar me sukses, teksa po përshkonte Gjirin e Biskajës në itinerarin e saj Holandë-Shqipëri. Marinarët thanë se "Iliria përballoi oqeanin e trazuar Atlantik me një lehtësi të çuditshme". Burime nga autoritetet portuale saktësojnë se patrulluesja "Iliria" arrin një vlerë prej 30 milionë euro. Pajisja e Distriktit Detar të Durrësit me një anije të prodhuar në Holandë në vitin 2008 shënon hapin e parë të rinovimit të marinës tonë luftarake, e cila deri dje kishte në përbërje të saj anije të prodhuara nga sovjetikët dhe kinezët. Tre anijet e tjera simotra do të montohen në Pashaliman, falë bashkëpunimit me holandezët.                  o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›