INSIG sërish në shitje, qeveria kërkon konsulent të ri
Qeveria rifillon për të disatën herë procedurat për shitjen e kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG. Ekzekutivi është duke kërkuar aktualisht një tjetër kompani konsulente, e cila do të ndihmojë në ripërcaktimin e vlerës dhe që do të ndihmojë në shitjen e tij. Pritet që kompania të bëjë një tjetër vlerësim të aseteve të kompanisë pas ndryshimeve ligjore të miratuara në qershor të vitit të shkuara, të cilat ndër të tjera hiqnin çmimin dysheme të shitjes prej 40 milionë dollarë. Në këto kushte, nisur edhe nga diskutimet e bëra asokohe, pritet që kompania konsulente që parashikohet të zgjidhet në fillim të prillit, të nxjerrë një vlerë më të ulët të INSIG-ut krahasuar me vlerësimit e deritanishme.
Kërkesa për dhënie oferte është publikuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, ndërsa qeveria ofron një vlerë limit prej rreth 18.2 milionë lekë. Tenderi është publikuar këto ditë, ndërsa kompanitë e interesuara do të kenë mundësi që të dorëzojnë ofertat deri më datë 2 prill. Sot (qershor 2011 sh.red) jemi tre vjet më vonë dhe vlerësimi i bërë në atë periudhë rezulton i pavërtetë, nuk i përshtatet më realitetit. Për më tepër, edhe konsulenti, i cili punon pranë Ministrisë së Financave dhe merret me këtë proces, ka këshilluar forcërisht që kjo referencë çmimi të hiqet duke i hapur rrugën një vlerësimi të ri që duhet ti bëhet aseteve të INSIG-ut, përpara se ai të dalë për rishitje,- do të shprehej para Komisionit të Ekonomisë, Linda Rusmali, përfaqësuese ligjore e Ministrisë së Financave gjatë shqyrtimit të ndryshimeve ligjore për shitjen e kompanisë. Çmimi aktual është caktuar para krizës botërore, dhe nuk reflekton vlerën reale që ka sot kompania INSIG. Në këtë kuadër këshilltari ka rekomanduar heqjen e kufizimit të çmimit në kuadrin ligjor, ose azhornimin e një tjetër çmimi, për interesin e blerësve të mundshëm të kësaj kompanie në tregun tonë, -do të shprehej në seancë plenare, Ridvan Bode kur u miratuan ndryshimet ligjore.
Qeveritë kanë nisur që prej thuajse një dekade procedurat për shitjen e kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG, por procesi ka dështuar vazhdimisht. Procedura e fundit e dështuar ishte ajo e tre viteve më parë, kur amerikanët e American Reserve Life Insurance u tërhoqen nga blerja pasi kishin fituar edhe tenderin. Shkak për këtë tërheqje u cilësua kriza financiare asokohe në SHBA. Pas dështimeve të njëpasnjëshme, qeveria lehtësoi një vit e gjysmë më parë procedurat e shitjes së INSIG duke e hequr nga lista e privatizimeve strategjike, ndërsa në ligj iu dha e drejta e marrjes pjesë në tender edhe të kompanive shqiptare, me kushtin që të kishin eksperiencë në tregun e sigurimeve. Krahas kësaj, tashmë është Ministria e Ekonomisë dhe jo ajo e Financave institucioni përgjegjës për shitjen e INSIG-ut.
INSIG është sot 100 për qind nën pronësi shtetëror dhe privatizimet e tij kanë dështuar vazhdimisht gjatë shtatë viteve të fundit, gjë që e ka shtyrë qeverinë të bëjë vazhdimisht ndryshime ligjore. Dy institucione financiare ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, blenë paketa minoritare aksionesh në vitin 2003, në mbështetje të procedurës së privatizimit, por as ky veprim nuk e lehtësoi shitjen. Ato i kthyen sërish aksionet.
