E Diel, 1 Nëntor 2026

INSIG të bën të pasur, merr 428 mijë euro me siguracion fals

INSIG / Foto arkiv

Emirjon Senja

Mall pa zot ! Kjo është fjala që mund ti shkojë ndërmend çdokujt që lexon raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të hartuar pas kontrollit të ushtruar në Institutin e Sigurimeve (INSIG), ku ka hasur në një mori praktikash të jashtëligjshme të cilat i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 90 milionë lekë ose rreth 860 mijë dollarë. Drejtues të Përgjithshëm apo të degëve të ndryshme, nëpunës të tjerë, madje, agjentë shitjesh të policave, madje edhe qytetarë janë bërë përfitues të shumave të majme nga paratë publike, të gjeneruara nga aktiviteti i gjigantit të dikurshëm të sigurimeve shqiptare.

Gazeta ka siguruar një kopje të këtij raporti konfidencial të KLSH-së, i cili është hartuar në fillim të vitit të shkuar dhe ka për objekt aktivitetin e kompanisë gjatë viteve 2006 2009. Pas hartimit, zakonisht raporte të tilla iu dërgohen fillimisht autoriteteve që kanë në përgjegjësi institucionin që është kontrolluar, në rastin konkret, Ministrisë së Financave nëpërmjet një CD-jë.

Më shumë se vlera e dëmit, ajo që bie në sy në kompaninë e nxjerrë përsëri në shitje nga shteti, ka të bëjë me procedurat abuzive përdoren të paratë e kompanisë nëpërmjet dhënies së shpërblimeve ndaj punonjësve në mënyrë të jashtë ligjshme apo më keq akoma, dëmshpërblimi i dëmit për automjete të cilat ose nuk figurojnë ose janë përfshirë më vonë (pas aksidentit) në regjistrat e INSIG duke shkaktuar mijëra dollarë dëme. Krahas kësaj, kontrollorët e KLSH-së kanë vërejtur një mori rastesh të sigurimit të pronave të paluajtshme apo sigurimit kasko të automjeteve me shuma disa herë më të mëdha se sa vlera reale e mallit që sigurohet duke manipuluar dokumentet. E gjithë kjo është bërë në kurriz të taksapaguesve shqiptar.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e nis raportimin mbi aktivitetin e INSIG-ut me paraqitjen e dhjetëra shkeljeve në drejtim të shpërblimit të punonjësve të saj apo të agjentëve që shesin policat. Por më të rënda janë rastet e shkeljeve për dëmshpërblimin e aksidenteve automobilistike apo të dëmtimit të pronës. Një rast tipik është ai i dëmshpërblimit me rreth 428 227 euro për një aksident në Greqi të një automjeti me targa DR 66 8* C, kartoni jeshil i të cilit deklarohet se është regjistruar nga agjenti i INSIG pas datës së aksidentit. Sa më sipër lëshimi i kartonit jeshil dublikatë është bërë mbasi ka ndodhur aksidenti, për rrjedhojë pagesa në vlerën 428 227 euro është në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore të fushës së sigurimeve, pasi mjeti nuk ka qenë i siguruara në momentin e aksidentit, – shpjegohet me detaje në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një rast tjetër i ngjashëm është ai i marrjes në sigurim nga INSIG të një kamioni tip IFA me targa TR 01 6* N, prodhim i para viteve 90, vlera e të cilit deklarohet 25 mijë euro! KLSH paraqet në raport disa raste të ngjashme, përfshirë edhe ato të marrjes në sigurim të pronës së paluajtshme.

Ndërkohë, KLSH evidenton një vendim për shpërblimin e punonjësve të kompanisë në Kosovë, të cilët i ka përzgjedhur vetë Drejtori i Përgjithshëm në Tiranë, ndërkohë që ligji parashikon procedura krejt të tjera në raste të tilla. KLSH vijon në raportin e tij duke theksuar se herë pas herë vërehen vendime për shpërblimin apo rritjen e komisionit të përfitimit për agjentë të caktuar në kundërshtim me ligjin.

Anulohet tenderi për konsulentin

Instituti i Sigurimeve hapi vetëm pak ditë më parë tenderin për gjetjen e një kompanie të re konsulente për shitjen e tij, por vendimi është kthyer mbrapsht. Agjencia e Prokurimeve Publike lajmëron për anulimin e këtij tenderi nga vetë kontraktuesi, ndërsa arsyeja e vendimit nuk është mësuar ende.

Qeveria po tenton sërish të shesë kompaninë shtetërore të sigurimeve pas disa ndryshimeve ligjore të miratuara një vit më parë duke hequr edhe kushtin që kompania të mos shitej nën 40 milionë dollarë. Vendimi u mor me arsyetimin se pas krizës që po kalon bota është vështirë të gjendeshin kompani që ofronin një vlerë të tillë. Një gjë e tillë do të bënte sipas qeverisë që të ofroheshin më shumë blerës. Ndryshimet ligjore gjithashtu lejonin marrjen pjesë në tender edhe të kompanive shqiptare që kishin eksperiencë në këtë sektor.

INSIG është kompani 100 për qind shtetërore aktualisht. BERZH dhe IFC blenë një pjesë minimale të aksioneve në fund të viteve 2 000 me shpresën se do ti jepnin më shumë vlerë kompanisë, gjë e cila do ta ndihmonte në privatizimin e saj por ia kthyen përsëri qeverisë. Kompania drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës pas tërheqjes së aksionerëve në fjalë, i cila ka nën varësi edhe Drejtorin e Përgjithshëm, por edhe një përfaqësues të Këshillit të Ministrave. INSIG kontrollon aktualisht rreth 7 për qind të tregut të sigurimeve në vend ku pjesa më e madhe e primeve vjen nga sigurimi i detyrueshëm motorik.

Rasti 1

INSIG ka marrë në sigurime një biznesi në Shkodër. KLSH vëren se nuk është verifikuar gjendja fizike e ndërtesës duke e marrë në sigurim me një vlerë rreth 197 milionë lekë ose 13 herë më të lartë se çmimi i tregut. E njëjta gjë ka ndodhur edhe makineritë, të cilat janë marrë në sigurim duke u vlerësuar 153 milionë lekë ose 8.3 herë më lartë se tregu. Pra, marrja në sigurim është bërë në kundërshtim me kushtet e kontratës, shuma e marrjes në sigurim kalon vlerën e tregut të objekteve apo mallrave të siguruar, duke nxitur rastet e sigurimit (dëmit). Dega Shkodër ka krijuar premisa për ngjarje të dyshimta sigurimi, – shpjegon KLSH në raport.

Rasti 2

Marrja në sigurim e një automjeti me targa DR 668* C. KLSH raporton se marrja në sigurim e këtij automjeti është bërë pasi ai ka kryer aksident duke përfituar një dëmshpërblim prej rreth 428 220 euro. Pas verifikimit të praktikës, KLSH ka dalë në përfundimin se siguracioni i automjetit është bërë pas aksidentit duke bërë që i siguruari të përfitojë padrejtësisht dëmshpbërblimin.

Rasti 3

INSIG ka marrë në sigurime një kamion tip IFA me targa TR 016* N, prodhim i para viteve 90. agjentët e INSIG kanë marrë të mirëqenë vlerën e deklaruar prej 25 mijë euro të mjetit duke mos marrë parasysh vlerësimin sipas çmimeve të tregut. Kjo vlerë është disa herë më e madhe se vlera e mjetit, pasi mjeti është prodhim Gjermano – Lindor para viteve 90. Vlerësimi i mjetit është bërë në kundërshtim me Kushtet e përgjithshme të sigurimit të vete mjetit motorik, – citon KLSH.

Rasti 4

Nga viti 2006 deri në 2009 INSIG ka vonuar dëmshpërblimin për mjaft raste aksidentesh në Kosovë duke detyruar të aksidentuarit që të dërgojnë çështjen në gjyq. Pas gjyqeve ka rezultuar një dëm prej 28.8 milionë lekë, të cilin kompania duhej tia paguante të aksidentuarve bashkë me dëmshpërblimin e parashikuar nga polica

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›