Mazniku: Regjistrimi i pronave nga bashkitë do të çlirojë potenciale të reja zhvillimi

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, kërkoi që bashkitë të regjistrojnë pronat që kanë në pronësi të tyre, si një hap i rëndësishëm që do të çlirojë potenciale të reja zhvillimi.
I pranishëm në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Mazniku tha se, “pushtet vendor dhe bashkitë e vendit, disponojnë sipas ligjit pjesën më të madhe të pronave që janë të pa regjistruara në emër të bashkive”.
Sipas tij, është e nevojshme në këndvështrimin normativ, mënyra sesi regjistrohen pronat dhe tek detyra e tyre për të regjistruar pronat, krahas mbështetjes teknike që bashkitë të kryejnë këtë proces.
“Kemi nevojë që të gjitha palët të bëjnë më shumë, për të pasur mundësinë, si fillim bashkitë të regjistrojnë pronat dhe ta kenë një proces të lehtësuar. Fakti që janë pronat në pronësi të bashkive, por janë të paregjistruara, ato kthehen shpesh si opsion korrupsioni për të gjitha palët”, u shpreh Mazniku.
Ai tha se, “nëse ato regjistrohen zgjidhim një problem të rëndësishëm”.
Sipas tij, krijimi i normave të përshtatshme të administrimit procedural do të lehtësojë bashkitë gjithashtu të bashkëpunojnë për pronat, duke çliruar energji të dobishme në ekonomi.
Ai tha se po përgatitet ligji për pronën e përbashkët.
“Ne kemi qartësi të madhe për ato që janë prona private, gjithashtu dhe për pronën publike por, kur bëjmë diskutim për pronat e përbashkët ku përshembull çdo pallat ka një hapësirë shumë të madhe në bashkëpronësi që për fat të keq dhe në aspektin e administrimit dhe të drejtave mbi këtë bashkëpronësi dhe inpaktin që ka në përditshmërinë e njerëzve, nuk është e vlerësuar siç duhet. Jemi duke bërë një ligj të ri për bashkëpronësinë që meriton vëmendje të madhe dhe do të nxisë përgjegjshmërinë e qytetarëve ndaj kësaj çështje, në dobi të tyre”, deklaroi Mazniku.
/a.f/