E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: 54000 fëmijë punojnë, 65.8% në punë të rrezikshme

TIRANE - Plot 54000 fëmijë punojnë në vendin tonë, ndërkohë që 35500 prej tyre bëjnë punë të rrezikshme. Të dhënat i përkasin studimit kombëtar "Fëmijët që punojnë në Republikën e Shqipërisë" të realizuara nga Instituti i Statistikave dhe Organizata Botërore e Punës (ILO). Studimi mbuloi 7319 familje që përmbanin 27865 individë, nga të cilët 6003 ishin fëmijë të moshave 5-17 vjeç. Ai u realizua në vitin 2010, por të dhënat e përpunuara janë prezantuar ditën e djeshme.

Sipas tij, 57 000 fëmijë ose 8.2% e 5-17 vjeçarëve janë ekonomikisht aktivë, ndërkohë që 80% e fëmijëve që punojnë janë të angazhuar në aktivitete bujqësore. Tregtia me shumicë dhe pakicë si dhe hotelet e restorantet kanë punësuar respektivisht 8.2 % dhe 4.15 % të fëmijëve. Kjo do të thotë se këto tre aktivitete kanë punësuar mbi 90 për qind të fëmijëve që punojnë. Sa u takon vështirësive në punë, studimi vlerëson se 65.8% e fëmijëve që punojnë bëjnë punë të rrezikshme. "Është vlerësuar se 35 500 fëmijë ose 5.1% e 5-17 vjeçarëve dhe 65.8% e 5-17 vjeçarëve janë punëtorë fëmijë, të cilët punojnë në aktivitete ekonomike ose profesione të rrezikshme, për një numër orësh që konsiderohen të jenë tepër të gjata për moshën e tyre, ose në kushte pune të rrezikshme. Në Shqipëri, ajo çfarë i dallon fëmijët që punojnë nga punëtorët fëmijë nuk janë industritë ose profesionet ku ata janë punësuar, por kushtet në të cilat ata punojnë, duke përfshirë edhe orët e punës që ata duhet të punojnë në javë. Ndërsa shumë pak fëmijë janë të angazhuar në aktivitete ose profesione që kërkojnë heqjen e tyre të menjëhershme, 52.2% e punëtorëve fëmijë janë të punësuar në kushte të rrezikshme dhe 14.8% punojnë me orë të tejzgjatura.

Për më tepër, 5-13 vjeçarët, të cilët e kanë të ndaluar nga legjislacioni kombëtar që të punojnë, madje edhe për një orë në javë, përbëjnë 28.5% të punëtorëve fëmijë në Shqipëri",-thuhet në raport. Gjithashtu, është vlerësuar se rreth 33.7% e fëmijëve që punojnë dhe 54.2% me punëtorëve fëmijë punojnë në kushte të pafavorshme pune. Rreziqet më të zakonshme në vendin e punës, me të cilat përballen fëmijët janë: Puna në temperatura ekstreme, të nxehtë apo të ftohtë dhe puna në mjedise me pluhur apo tym për më tepër, 8.2% e fëmijëve që punojnë dhe 12.2% e punëtorëve fëmijë ankohen për trajtim të pafavorshëm në punë, kryesisht në formën e të bërtiturës dhe rrahjes, ndërkohë që ata fëmijë që ankohen për abuzim fizik janë veçanërisht ata që quhen punëtorë të papaguar në familje. Të dhëna të tjera dalin edhe për dëmtimet në punë.

Sipas studimit kombëtar të INSTAT rreth 13% e fëmijëve që punojnë dhe 18.4% e punëtorëve fëmijë kanë kaluar një sëmundje ose dëmtim të shkaktuar nga puna një vit para kryerjes së këtij studimi. Megjithatë, vetëm në pak raste (më pak se 5% e fëmijëve që kaluan një sëmundje apo dëmtim) fëmijët u detyruan të lënë punën ose shkollën përgjithmonë si rezultat i sëmundjes apo dëmtimit. Lodhja ekstreme dhe temperatura janë problemet shëndetësore më të zakonshme të kaluara nga fëmijët që punojnë dhe nga punëtorët fëmijë. Një përqindje më e madhe djemsh sesa vajzash vuajnë nga probleme shëndetësore të shkaktuara nga puna. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›