E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Besojeni, rritja ekonomike 9.9 për qind

 

Fabiola Çela

Këtë vit rritja ekonomike është në nivele goxha të lartë. Në një kohë kur kriza financiare ndërkombëtare ka prekur ekonomitë më të mëdha të globit, ajo shqiptare duket se e ka ‘sfiduar’ këtë recesion global. Sipas Institutit të Statistikave, deri në fund të muajit shtator, rritja ekonomike është 9.9 për qind. Por gjatë prezantimit të kësaj shifre ‘surprizë’ të rritjes ekonomike, zyrtarë të INSTAT kanë theksuar se një llogaritje e tillë është kryer në bashkëpunim me një ekspert të FMN-së, si për të treguar kështu besueshmërinë e kësaj shifre. “Për arritjen e këtyre rezultateve është bërë një punë e gjatë dhe këmbëngulëse e stafit të Llogarive Kombëtare në asistencë të plotë nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Eksperti i FMN-së, ka punuar ngushtësisht në INSTAT për një kohë të gjatë dhe intensive” ka deklaruar dje Drejtoresha e INSTAT-it Ines Nurja. Ndërsa për zëvendësministrin e Financave Florjon Mima politika fiskale monetare ekonomike i ka dhënë një dinamizëm jetës ekonomike në vend.
Rritja
Gjatë dy viteve të fundit, rritja ekonomike e Shqipërisë ishte në nivelin e 6 për qind. Por pak kohë më parë kreu i qeverisë Berisha deklaroi se në 2008-ën rritja ekonomike do të jetë dyshifrore. E një gjë e tillë u deklarua dje nga vetë INSTAT-i. Për herë të parë Instituti i statistikave ka kryer dje publikimin e parë të PBB-së tremujore. Sipas INSTAT-it, ekonomia është rritur me 1.3 për qind në tremujorin e tretë të 2008-ës, duke ndjekur kjo një rritje me 2.6 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Ndërsa rritja vjetore e PBB-së ishte 9.9 për qind për tremujorin e tretë të 2008.
Sektorët
Po dje Instituti i statistikave ka publikuar edhe sektorët që kanë patur rritjen më të lartë gjatë këtij viti, të cilat kanë ndikuar dhe në rritjen ekonomike. Post-telekomunikacioni mësohet të jetë rritur me 12.8 për qind dhe shërbimet e tjera me 2.7 për qind, të cilat kanë kontribuar më shumë në rritjen e PBB-së tremujore. Ndërtimi ka qenë një tjetër sektor, zhvillimi i të cilit ka qenë në nivele të lartë. Sipas INSTAT-it, për të njëjtat periudha aktiviteti i ndërtimit u rrit respektivisht me 1.8 për qind dhe 19.6 për qind, duke vazhduar një rritje të qëndrueshme për disa tremujorë. Projekti madhor për të ndërtuar rrugën që do të lidhë Kosovën me Durrësin ka patur një kontribut të madh në rritjen e kësaj dege të ekonomisë për këtë periudhë. Por edhe sektori i shërbimeve ka pësuar një bum të vërtetë. Kjo degë këtë tremujor u rrit me 2.7 për qind, duke patur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të këtij tremujori së bashku me post-telekomunikacionin.  Ndërsa për sa i përket sektorëve të tjerë, INSTAT vëren se aktiviteti bujqësor u rrit me 0.1 për qind  në tremujorin e tretë të 2008 krahasuar me tremujorin paraardhës, ndërsa krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 2.6 për qind. Ndërsa grupi i industrive pësoi një rënie me 6.4 për qind në tremujorin e tretë të 2008-ës, krahasuar kjo me tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2007 u rrit me 2.2 për qind. Sipas INSTAT-it duhet theksuar fakti që në këtë seri të industrisë nuk është paraqitur efekti i çmimit të blerjes së energjisë elektrike.

Rritja ekonomike

- Rritja vjetore e PBB-së ishte 9.9 për qind për tremujorin e tretë të 2008.
- Post-telekomunikacioni u rrit me 12.8 për qind.
- Aktiviteti bujqësor u rrit me 0.1 për qind 
- Grupi i industrive pësoi një rënie me 6.4 për qind.
- Tregtia u rrit me 1.3 për qind
- Aktiviteti i ndërtimit u rrit me 1.8 për qind
- Shërbimet u rritën me 2.7 për qind

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›