Topi-Uidhers, me pikëpamje të njëjta
Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhërs. Në përfundim të ceremonisë së dekorimit të juristes amerikane Melisa Shrajbman me "Medaljen e Mirënjohjes", Topi i Uidhërs janë ndalur në zyrën e kreut të shtetit, ku kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend. Ndonëse, nuk bëhen të ditura detajet e këtij takimi, zyra e shtypit e Presidentit konfirmojnë, se gjatë bisedës janë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe është vënë theksi te reformat e rëndësishme, në drejtësi, prokurori dhe ajo zgjedhore. "Presidenti Topi dhe ambasadori amerikan Uithërs gjithashtu, diskutuan dhe ndanë pikëpamje të njëjta rreth reformave të domosdoshme integruese dhe përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi, në prokurori dhe asaj zgjedhore", thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e juristes amerikane, ambasadori Uidhërs tha se "Motivacioni i medaljes suaj përfshinte katër fjalë të vogla: 'shtetin e së drejtës'. Këto janë fjalë të vogla, por janë fjalë magjike. Pa to demokracisë do t'i mungonte gjaku nëpër vena, do t'i mungonte rrahja e zemrës. Shteti i së drejtës kupton që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që të gjithë duhet të dëgjohen dhe të gjykohen para ligjit në mënyrë të barabartë. Dhe as fuqia, ose posti, as statusi shoqëror, as pasuria nuk duhet të influencojnë në barazinë e sistemit ligjor".