“Dëgjesat e Ramës për buxhetin, tallje me qytetarët”
Të zgjedhurit e Partisë Socialiste braktisin mbledhjen e njësive vendore të Tiranës për buxhetin e 2009-ës. Nga 11 anëtarë që duhet të ishin, vetëm 7 prej tyre morën pjesë në takimin e djeshëm. Thuajse të gjithë të pranishmit u ankuan se Kryebashkiaku Rama nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre dhe komunitetit në minibashkitë që ata drejtojnë. “Xhirot që bëri Rama në saj të dëgjesave publike ishin për t’u tallur, thuajse nuk i kushtoi rëndësi fare. Por duhet të dijë që ai u mbledh taksa këtyre qytetarëve dhe nga kjo duhet t’i respektojë ata”, tha Kryetari i Njësisë nr. 3, Ilir Kokona. Në zonën që ai drejton nuk janë rikonstruktuar të shtata rrugët e planifikuara. Ai shtoi se edhe në projektin e 2009 nuk janë të planifikuara. Kokona kërkoi që projekt buxheti të rishikohet. E të njëjtit mendim ishte edhe Luzhiana Abazaj e Njësisë Bashkiake nr. 6. “Në këtë projektbuxhet nuk shoh asgjë të detajuar dhe asnjë gjë të veçantë për zonën time. Janë vetëm projekte që kanë mbaruar për 2008 dhe për 2009 në njësinë nr. 6 nuk ka të tilla”, tha ajo. Abazaj shtoi se ne këtë projektbuxhet nuk ka as një risi. Ndërkaq sipas kryetarit të minibashkisë nr.9, Armond Halebi, Edi Rama ka raportuar gjatë takimeve të tij të dhëna ta pasakta në këtë zonë. “Rama flet për 38 mijë banorë, ndërkohë që Njësia Bashkiake nr. 9 ka plot 54 mijë. Nga pesë pika të dëgjesave “Thuaj fjalën tënde” dy prej këtyre pikave nuk i përkisnin njësisë tonë”, tha Halebi. Ai kërkoi që në projektbuxhet të futen edhe rrugë, të cilat janë përjashtuar, por kanë nevojë për investime”. Pjesë e tij duhet të bëhet edhe një treg në rrugën “Don Bosko”, të cilin e kanë kërkuar qytetarët e kësaj zone”, tha Halebi. Kryetarja e njësisë nr.1, Lindita Nikolla deklaroi gjatë takimit se është lënë jashtë projektbuxhetit për vitin që vjen, projekti i Urës së Shkozës që lidh dy njësitë, atë nr.1 dhe atë nr.3. Të gjithë kryetarët e njësive vendore kërkuan nga bashkia që fondin prej 2 milionë eurosh të planifikuar për investime ta ndajë në buxhete fikse për minibashkitë dhe të jenë ato që të administrojnë fondet. m.sh