INSTAT: Biznesi, kosto të larta për të prodhuar
Kosto e prodhimit në disa sektorë të ekonomisë ka pësuar rritje, duke e bërë akoma e më të vështirë aktivitetin e tyre privat. Shifrat zyrtare të publikuara dje nga Instituti i Statistikave (INSTAT), flasin për një ecuri pozitive në tërësi, por në sektorë të veçantë vërehen probleme me nxjerrjen e produktit final. INSTAT nuk i jep shkaqet e rritjes së çmimit për prodhimin, por paraqet krahasimet me periudhat e ndryshme.
Në tremujorin e parë të vitit 2010, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 108.5 për qind, duke shënuar një ulje prej 1.4 për qind kundrejt tremujorit të katërt 2009. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është -0.2 për qind.
Industria nxjerrëse shënoi një rritje prej 6.3 për qind. “Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në aktivitetet ‘Nxjerrja e produkteve energjetike’ me 10.6 për qind”, thekson INSTAT. Gjithashtu, indeksi i çmimeve të prodhimit në industrinë përpunuese shënoi rritje me 1.7 për qind, ku brenda saj veçohet rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: industria ushqimore me 0.3 për qind, industria tekstile me 3.5 për qind, metalurgjia dhe përpunimi i metaleve me 4.6 për qind.
Sa u takon çmimeve të prodhimit në aktivitetet e tjera, industria kimike, apo fabrikimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike, kanë shënuar ulje përkatësisht me 0.2 për qind dhe 0.7 për qind.
INSTAT paraqet një situatë të përmbledhur me kostot e prodhimit për produktet vendase, të cilat arritën 105.5 për qind, duke shënuar një ulje prej 3 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2009. Gjithsesi, tek industritë nxjerrëse dhe përpunuese shënohen rritje të kostos, përkatësisht me 6.6 për qind dhe 1.2 për qind.
Kurse indeksi i çmimeve të eksportit (referuar vitit bazë 2005) arriti 117.7 për qind, duke shënuar një rritje prej 2.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Edhe këtu veçohet rritja e çmimeve të produkteve në degën industri përpunuese me 2.3 për qind.
#