E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtarja Mira Meksi, një ballo në Francë

 

"Porfida, një ballo në Versajë", romani i shkrimtares Mira Meksi botohet në Francë nga një prej shtëpive botuese më të rëndësishme, "Editions Baudelaire". I botuar në versionin shqip nga "Ideart", romani i shkrimtares shqiptare ka zgjuar interes tek shtëpia botuese franceze, e cila ka matur edhe suksesin që ky roman ka pasur në Shqipëri. Botuesi i "Ideart", Arian Leka thotë se "Editions Baudelaire" është një prej shtëpive botuese më prestigjioze në Francë, ku minimalisht botohen rreth 5 mijë tituj në muaj. "Është nga edicionet e suksesshme franceze, të shtëpisë botuese "Baudelaire" me qendrën në Lion, e cila ka botuar librin 'Porfida' të autores sonë Mira Meksi, i cili nuk është një surprizë për ne, pasi dhe në Shqipëri ka njohur suksesin maksimal. Ka njohur botime, ka njohur ribotime, ka njohur tekste, ka hapur polemika, ka ngjallur polemika mbi atë se si autorja e sheh botën shqiptare, mbi atë që bota shqiptare i ofron botës së huaj, lexuesit të huaj", thotë Leka.
Romani i cili ka njohur edhe polemika në shtypin shqiptar, sjell një Shqipëri totalitare, të mbyllur në vetvete, e cila ngjan si një çmendinë; ndërkohë që çmendina e vërtetë që mban brenda elementët më të rrezikshëm për stabilitetin politik të vendit, kthehet në një paradhomë të çuditshme që përgatit rininë e botës së lirë, në hullinë e një parfumi. Mira Meksi përshkruan në sfond historik absurditetin e diktaturës dhe qëndresën ndaj çdo lloj tjetërsimi, në sajë të kulturës dhe përvetësimit të shkrimeve kabalistike. Romani është përkthyer në frëngjisht nga Alketa Spahiu, doktor i universitetit Paris-Sorbonë në letërsi të krahasuar. Përkthimi në frëngjisht, i parë tërësisht nga autorja, ka vlerën autentike të origjinalit shqip.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›