Shuhet Bonxhorno, babai i televizionit italian
Përshëndetja e tij mitike "Alegria, alegria!" mbushte me entuziazëm, jo vetëm miliona italianë, por edhe mjaft shqiptarë që e ndiqnin fshehtazi, me perde të mbyllura, gjatë viteve të diktaturës. Dukej se nuk kishte moshë e për pasojë as vdekje. Kjo është arsyeja pse lajmi i humbjes së tij, i la të gjithë pa gojë. Dje, televizioni italian humbi një nga baballarët e tij, prezantuesin e famshëm, Majk Bonxhorno (Mike Bongiorno). Prezantuesi popullor u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare nga një infarkt i papritur, ndërsa kishte shkuar për të pushuar në Montekarlo. Të parët që dhanë lajmin ishin gazetarët e rrjetit televiziv "Sky", ku Bonxhorno do të drejtonte një telekuic të ri, pasi "braktisi" grupin "Mediaset", ku ishte një prej imazheve mitike, prej shumë vitesh. Pikërisht ditën e hënë, prezantuesi ishte larguar nga Milanoja për të kaluar disa ditë pushimi, përpara se të zhytej në aventurën e re televizive në rrjetin e Rupert Murdok. Sipas mediave italiane, sapo u bë i njohur lajmi, një turmë e madhe njerëzish të mallëngjyer nisi të krijohej përpara banesës së Bonxhornos në Milano, në rrugën "Giovanni da Procida" në zonën "Sempione". Artistë, ish-kolegë të tij, politikanë, por edhe njerëz të thjeshtë, adhurues të tij kanë nxituar t'i japin ngushëllimet familjes së artistit.
"Më vjen shumë keq, pasi ishte një mik. Ne humbëm një protagonist të historisë së televizionit italian", është shprehur për mediat italiane kryeministri Silvio Berluskoni, i cili në vitet '80 arriti t'ia rrëmbente RAI-t, prezantuesin e njohur, për ta përfshirë atë në rrjetin e tij televiziv "Mediaset". "Ai ëndërronte të bëhej senator", shtoi kryeministri italian. "Majk ishte esenca e televizionit italian", - thotë gazetari dhe drejtuesi televiziv Mauricio Kostanco. "Ishte divi i parë i televizionit", ka thënë një tjetër ikonë e televizionit italian, Pipo Baudo, ndërsa shton se "ai ishte një pikë referimi, bënim shpesh shaka mbi rivalitetin tonë". Ndërsa për Piero Kiambretin Bonxhorno do të mbetet një "figurë e pavdekshme". Ndërsa fqinjët e tij në Milano e kujtojnë si një njeri të mirë e të thjeshtë, që nuk kursehej asnjëherë për të ndihmuar të tjerët.
Italo-amerikan i lindur në Nju Jork, Majk Bonxhorno ishte babai i televizionit italian. Ishte pikërisht ai që prezantoi të parin transmetim në televizionin shtetëror italian RAI, "Arrivi e partenze" (Mbërritje dhe nisje). Në vjeshtë prezantuesi duhet të drejtonte në ekranin e "Sky uno" programin "Riskytutto", plot 54 vjet pas shfaqjes së të parit telekuic italian "Lascia o raddoppia?". Për të vijuar me "Rischiatutto" e "Scommettiamo". Prej vitit 1963 ka drejtuar 11 edicione të Festivalit të këngës italiane, Sanremo. Në fund të viteve '70, Bonxhorno do të bëhej një ndër kontribuuesit kryesorë në ngritjen e televizioneve private. Programi i tij i fundit në RAI ishte "Flash" (1980-1982), për të kaluar më pas në "Mediaset". Prej vitit 1989-2003 ka drejtuar "Ruota della fortuna", ndërsa në sezonet e fundit ka realizuar disa programe në "Retequattro" dhe është bërë imazhi i disa fushatave publicitare, së bashku me një tjetër prezantues italian, por të një brezi shumë më të ri se i tiji, Fiorelon, me të cilin e lidhte jo vetëm bashkëpunimi profesional, por edhe një miqësi e ngushtë.