E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët rrugorë 5 ditë punë në javë

 

TIRANE - Efektivat e Policisë Rrugore të Tiranës, do të punojnë vetëm 5 ditë në javë, duke e bërë pushim të shtunën dhe të dielën, njësoj si Policia e Rendit. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës mësohet se ka nisur aplikimi i javës 40-orëshe të punës, për policët rrugorë. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë pasuar ato të Rendit për implementimin e javës së punës siç aplikohet në çdo administratë të shtetit. Java 5-ditëshe, me dy ditët e shtunë dhe e diel pushim, u aplikua në Policinë e Shtetit pas urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm, Ahmet Prençi dhe me kërkesën e Sindikatës së Policisë. Mungesa e shlyerjes së pagesave të orëve suplementare, ka bërë të shihet me mosbesim qëndrimi në punë për ditët që konsiderohen pushim nga policët rrugorë dhe është ngritur si problem nga Sindikata e Policisë. Shtyrja e vendimit për kalimin e Policisë Rrugore në javën 40-orëshe ishte bërë për shkak të fluksit të madh nga automjetet e shumta të emigrantëve që u kthyen gjatë sezonit veror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›