PS-ja, në zgjedhjet e 2009-s, më shumë kandidate femra
Zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009 pritet të shënojnë një rekord në Partinë Socialiste përsa u përket kandidaturave femra që do të konkurrojnë për të marrë mandatet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se në listat e mbyllura të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme pritet të vendosen më shumë se 30% e kandidateve femra, të cilat do të përfaqësojnë PS-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo shifër pritet të jetë më e larta që nga koha e themelimit të Partisë Socialiste, e cila, ashtu edhe si Partia Demokratike gjatë këtyre 17 viteve tranzicion, ka rezervuar një hapësirë të pakët për kandidatet dhe politikanet e seksit femër. Ndër kandidaturat kryesore të Partisë Socialiste priten të jenë emrat e kryetares aktuale të Grupit Parlamentar Valentina Leskaj dhe deputeteve Arta Dade dhe Ermelinda Meksi. Por elemente surprizë në listat e Partisë Socialiste do të jenë emrat e politikaneve të reja në PS, të cilat janë angazhuar edhe më shumë në strukturat drejtuese të kësaj partie qëkur drejtimi i saj u mor nga kryetari aktual, Edi Rama. Kështu, në listat e PS-së për zgjedhjet e ardhshme priten të përfshihen emrat e Mimi Kodhelit, Ledi Shamkut, Mimoza Haxhihysenit, Saemira Pino, Eva Allushi, Mimoza Hafizi, Lindita Nikolli, të cilat janë zgjedhur edhe anëtare të Kryesisë së Partisë Socialiste. Partia Socialiste e ka sanksionuar me statutin e ri rritjen e nivelit të përfaqësimit të kandidateve femra si përsa i përket strukturave drejtuese të partisë, ashtu edhe përsa i përket kandidaturave në proceset zgjedhore.
9 Gusht 2008