E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Papunësia zbriti në 8,4% në vitin 2025, paga mesatare u rrit në 84 mijë lekë

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Shkalla e papunësisë në Shqipëri vijoi trendin rënës edhe gjatë vitit 2025, ndërsa paga mesatare mujore bruto shënoi rritje, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT.

Sipas raportit, forca e punës në vend vlerësohet në 1 279 906 persona, ku meshkujt përbëjnë 54,2% dhe femrat 45,8% të totalit.

Numri i të punësuarve arriti në 1 172 359 persona, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0,4% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, numri i të papunëve vlerësohet në 107 548 persona.

INSTAT bën të ditur se shkalla zyrtare e papunësisë për popullsinë mbi 15 vjeç zbriti në 8,4%, ose 0,1 pikë përqindje më pak se një vit më parë. Papunësia te meshkujt rezultoi 7,3%, ndërsa te femrat 9,7%.

Për grupmoshën 15-64 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 9,3%, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti në 76,3%.

Të dhënat tregojnë se 69,3% e popullsisë së grupmoshës 15-64 vjeç është e punësuar, 9,3% është e papunë dhe 23,7% është ekonomikisht joaktive.

Sipas raportit, meshkujt vijojnë të kenë një nivel më të lartë përfshirjeje në tregun e punës. Shkalla e punësimit për meshkujt është 76%, kundrejt 62,7% për femrat, duke krijuar një hendek gjinor prej 13,3 pikë përqindje.

Një tregues pozitiv mbetet rritja e punësimit te grupmoshat mbi 65 vjeç. Numri i të punësuarve në këtë kategori arriti në 130 274 persona, nga 119 862 që ishte një vit më parë. Sipas INSTAT-it, shumica e tyre janë të vetëpunësuar në bujqësi dhe konsiderohen të punësuar sipas standardeve ndërkombëtare.

Struktura e punësimit tregon se sektori i shërbimeve mbetet punëdhënësi më i madh në vend, duke përqendruar 46,9% të të punësuarve, i ndjekur nga bujqësia me 33,8%.

“Punonjësit e kualifikuar” në bujqësi dhe tregti përbëjnë 45,3% të totalit të të punësuarve, ndërsa grupet e menaxherëve, profesionistëve dhe teknikëve përfaqësojnë 22,5%.

Sipas të dhënave 48% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 30,9% janë të vetëpunësuar dhe 21,1% janë punëtorë pa pagesë në biznesin familjar.

Raporti evidenton se femrat kanë gati dy herë më shumë gjasa se meshkujt të punojnë pa pagesë në bizneset familjare. Rreth 29,3% e grave të punësuara rezultojnë në këtë kategori, kundrejt 14,4% të burrave.

Një tjetër zhvillim pozitiv lidhet me ekonominë informale. Punësimi informal në sektorin jobujqësor zbriti në 21,8%, me një ulje prej 2,9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024.

Papunësia e të rinjve të grupmoshës 15-24 vjeç rezultoi 21,5%, duke shënuar një ulje prej 1,3 pikë përqindje krahasuar me vitin paraardhës. Ndërkohë, 72,7% e të papunëve janë të papunë afatgjatë, pra kanë mbi një vit pa punë, megjithëse edhe ky tregues ka shënuar përmirësim.

Në aspektin e të ardhurave, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 84,112 lekë gjatë vitit 2025, me një rritje prej 8,6% krahasuar me vitin 2024.

Po ashtu, hendeku gjinor në paga u ngushtua. Meshkujt paguhen mesatarisht 4,6% më shumë se femrat, ndërsa diferenca është ulur me 0,3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Sipas INSTAT-it, 12,6% e të punësuarve me pagë përfitojnë paga deri në nivelin e pagës minimale zyrtare, ndërsa treguesit e vitit 2025 sinjalizojnë një treg pune më të qëndrueshëm, me paga në rritje dhe nivele më të ulëta të papunësisë dhe informalitetit.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›