E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Raportet tona janë të monitoruara nga FMN e KE

Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja,, tha se Instituti Kombëtar i Statistikave INSTAT, prodhon të dhëna dhe rezultate statistikore mbi bazën e një metodologjie të certifikuar nga institucionet ndërkombëtare, të cilat monitorojnë punën e INSTAT.

Ajo argumentoi se puna e INSTAT është e vlerësuar maksimalisht nga dy institucionet ndërkombëtare FMN dhe KE, të cilët monitorojnë aktivitetin e këtij institucioni me imtësi gjatë gjithë vitit. “Ftoj të gjithë drejtuesit, analistët, apo cilido tjetër individ që hedh dyshime mbi shifrat që në prodhojmë që përpara se të bëjë deklarata të pamatura dhe që cënojnë imazhin e INSTAT si dhe vendit tonë përballë publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë të vijnë në INSTAT dhe të shohin shifrat metodologjinë e përdorur dhe çdo gjë tjetër që ata kanë nevojë për tu qartësuar mbi realitetin e shifrave që INSTAT prodhon”, tha Nurja.

Duke evidentuar vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare për punën e INSTAT, Nurja nënvizoi se, "në deklaratën e misionit të fundit të FMN-së thuhet se "Statistikat Makroekonomike janë thelbësore për politikëbërjen kompetente si dhe për të rritur besimin e investitorëve. Instituti Kombëtar i Statistikave INSTAT ka bërë përparim të dukshëm gjatë viteve të fundit, për shembull, duke filluar që të publikojnë llogaritë tremujore kombëtare si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së tyre", theksoi Nurja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›