E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e zgjedhjeve, plani rezervë i PD, Venecia

TIRANE-Deputetët e shumicës parlamentare pritet t’i propozojnë opozitës që zgjidhjen për çështjen e hapjes së kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit ta gjejnë tek Komisioni i Venecias. Burimet nga PD-ja thanë dje për “Gazeta Shqiptare” se, ky do të jetë një propozim që do të bëhet shtesë së bashku me amendamentet që tashmë janë depozituar në Kuvend, për ligjin për komisionet hetimore. Ideja për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias ju propozua palëve në Shqipëri nga kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, gjatë negociatave te Presidenti Bamir Topi.
“Në rast se ka paqartësi apo mosmarrëveshje të çdo natyre, ajo duhet te zgjidhet me frymë kushtetuese. Vendi ka një Gjykatë Kushtetuese dhe duhet të veprohet bazuar në Kushtetutë për çdo paqartësi. Sikundër ka edhe mekanizma këshillues, siç është Komisioni i Venecias”, - u shpreh pak para largimit nga Shqipëria, kreu i këtij delegacioni, Mevlut Çavushoglu. Deri tani PS-ja ka dhënë përgjigje negative në lidhje me këtë çështje, pasi sipas sqarimeve që ka dhënë edhe kryetari i saj, Edi Rama, PS-ja nuk ka probleme ligjore me zgjedhjet, por kjo është një çështje që kërkon zgjidhje politike. Opozita nuk heq dorë nga hapja e kutive të 28 qershorit 2009. Ndërsa PD-ja, sipas burimeve nga kjo parti, pritet që në amendamentet e saj të propozojë ndryshime në nenin 4 të projektligjit, që hetimi parlamentar të fokusohet në çështje të tjera, përveç materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, kur për to ka një vendim gjykate. Në thelb të propozimeve që ka bërë PS-ja është hetimi i zgjedhjeve dhe transparenca e tyre, pa kufizuar objektin e hetimit, deri edhe hapje të kutive të votimit. Por, kjo nuk pranohet kurrsesi nga maxhoranca, e cila ka theksuar vazhdimisht se kjo bie ndesh me Kushtetutën dhe cenon vendimet e gjykatave.
Ndryshimet e PD
Në lidhje me paketën e amendamenteve, deputetët e PD-së nuk kanë pranuar të bëjnë publike asgjë para se ajo të nisë të diskutohet nen për nen në Komisionin e Ligjeve, ditën e martë. Ndërkohë, pritet që ditën e hënë të mbyllen diskutimet në parim edhe nga deputetët që kanë mbetur pa folur deri më tani, dhe do të votohet në parim. Diskutimet më të zjarrta priten ditën e martë, kur do të diskutohen një nga propozimet e PS-së dhe të PD-së gjithashtu. I pyetur në lidhje me ato çfarë do të paraqesë PD-ja në Komision e Ligjeve, kreu i këtij komisioni, deputeti Ilir Rusmali tha për Gazetën se, “deputetët e maxhorancës kanë depozituar amendamentet në Kuvend”. Sipas tij, “hetimi nuk mund të bjerë ndesh me vendimet e gjykatave dhe ky është një qëndrim i reflektuar edhe gjatë diskutimeve”. “Por, - shtoi Rusmali, - nuk mund të them nëse edhe amendamentet do të reflektojnë këtë qëndrim”, duke dashur të ruajë sekretin e këtyre propozimeve që maxhoranca do i bëjë të ditura vetëm në nisje të shqyrtimit nen për nen të këtij projekti. Kuvendi pritet të diskutojë në seancë plenare në datën 18 mars, ndërsa e gjithë puna duhet të përfundojë në komisione deri në këtë datë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›