E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Transporti detar i mallrave u rrit me 8,7% në tremujorin e dytë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Transporti detar i mallrave në Shqipëri shënoi rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa Porti i Durrësit vijoi të mbetet porta kryesore e përpunimit të mallrave në vend.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në katër portet detare të Shqipërisë u transportuan gjithsej 2 395 615 tonë mallra, nga 2 204 762 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 8,7%.

Nga ky volum, 94,2% e mallrave të transportuara me det, u përpunuan në Portin e Durrësit, i cili regjistroi një rritje prej 9, 9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Pjesa tjetër e volumit u përpunua në portet e Vlorës, Shëngjinit dhe Limjonit në Sarandë.

Sipas klasifikimit të mallrave, grupi “Metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara” zuri peshën më të madhe të mallrave të transportuara me 15,8% të totalit, i ndjekur nga “Koksi dhe produktet e rafinuara të naftës” me 14,3%, “Produktet e tjera minerale (jo metalike)” me 13,5% dhe “Qymyri, nafta bruto dhe gazi natyror” me 8,6%.

Gjatë tremujorit të dytë në portet shqiptare hynë dhe dolën 294 anije, nga të cilat 276 ishin anije të huaja dhe 18 vendase. Krahasuar me një vit më parë, numri i përgjithshëm i anijeve u rrit me 6,5%, ndërsa ai i anijeve të huaja me 9,1%.

Tregues në rritje shënoi edhe transporti detar i pasagjerëve ku një fluks prej 336 mijë personash. Porti i Sarandës përpunoi pjesën më të madhe të tyre, me 60,6% të totalit, i ndjekur nga Porti i Durrësit me 34,9% dhe Porti i Vlorës me 4,5%. Në tremujorin e dytë nuk u regjistrua lëvizje pasagjerësh në Portin e Shëngjinit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se volumi i mallrave të tregtuara me det, përfshirë eksportet dhe importet, arriti në 1555 tonë, duke shënuar një rritje prej 1,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Nga ky volum, transporti detar përfaqësoi 34,7% të eksporteve të mallrave dhe 66,3% të importeve të mallrave, duke konfirmuar rolin dominues të porteve detare në tregtinë e jashtme të Shqipërisë.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›