E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Ulen çmimet e perimeve, rriten shpenzimet e transportit

Çmimet e perimeve kanë shënuar një rënie mesatare prej 20 për qind, ndërsa shpenzimet për transport janë rritur me 0.1 për qind për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Indeksi i grupit Shëndeti shënoi një rritje prej 6.6 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e

çmimeve të  tarifave të shërbimeve mjeksore 46.6 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga -0.1 për qind në 0.1 për qind. Statistikat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave, sipas të cilave mësohet se indeksi i grupit Ushqime dhe pije jo alkolike shënoi një ulje prej 1.9 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 14.4 për qind vërehet në nëngrupin zarzavate përfshirë patatet. Këtu ka shënuar uljen e çmimit të specave me 36.4 për qind, patëllxhanëve me 31.5 për qind, domateve me  30.5 për qind, bishtajave me 30.9 për qind, qepëve të thata me 23.6 për qind, kastravecëve me 18.0 Për qind, etj. Ndërsa, çmimet e nëngrupit fruta shënuan një rritje prej 1.3 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonave me 35.7 për qind, kivit me 5.7 për qind, portokalleve me 3.2 për qind, mollëve me 2.9 për qind, etj. Ndërsa çmimet e disa frutave te tjera shënuan ulje gjatë këtij muaji, ku mund të veçojmë uljet e çmimeve të pjeshkëve me 17.6 për qind, shalqinit me 13.4 për qind, pjeshkëve me 10.4 për qind etj. Sipas INSTAT gjatë muajit Qershor çmimet në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, shënuan rritje, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, peshk 2.7 për qind, qumësht djathë e vezë 0.1 për qind, vajra dhe yndyrna 0.2 për qind, etj. Indeksi i grupit pije alkolike dhe duhan shënoi një rritje prej 0.5 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkolike shënuan një rritje prej 0.7 për qind dhe çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.3 për qind. Indeksi i grupit Veshje dhe këpucë shënoi një ulje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimeve të nëngrupit këpucë me 0.5 për qind. Indeksi i grupit Transport shënoi një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimet e karburanteve shënuan rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.2 për qind, dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind.

FMN: Rritja ekonomike për 2010, 4-4.5 për qind
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndryshuar pozivitisht parashikimin e tij për rritjen e ekonomisë globale për këtë vit nga 4 në 4.5 %. Ekspertët thonë se në 6 muajt e parë të këtij viti, ekonomia botërore shënoi rritje të qëndrueshme për shkak të zgjerimit të madh të tregjeve në vendet aziatike. Shtetet e zhvilluara, - thotë FMN - shënuan shifra modeste të rimëkëmbjes, por të qëndrueshme. Por, pavarësisht këtij qëndrimi pozitiv, analistët paralajmërojnë se kriza buxhetore në Evropë mund të ndikojë negativisht. Shqetësimet për qëndrueshmërinë e financave të qeverive sidomos në Greqi dhe në vende të tjera të Evropës janë kërcënime të mëdha për rimëkëmbjen ekonomike. Ndaj Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon autoritetet të mos ndërmarrin shkurtime të menjëhershme. Edhe pse mundësia që kjo krizë të përhapet është e limituar, analistët shprehen se ka një rrezik të madh që paqëndrueshmëria në tregjet evropianë të vërë në pikëpyetje rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë botërore.

Eurozonë, rriten eksportet dhe shpenzimet
Eksportet dhe shpenzimet qeveritare e kanë mbështetur mëkëmbjen ekonomike të Evropës në tremujorin e parë, duke e anuluar rënien në investime dhe konsum shtëpiak. Dërgesat për eksport jashtë rajonit prej 16 anëtarësh të eurozonës u rritën 2,1 për qind, krahasuar me tremujorin e fundit 2009, kur ato u rritën 1,8 për qind. Ndërsa shpenzimet qeveritare u rritën 0,2 për qind, deklaroi të enjten zyra evropiane e statistikave me qendër në Luksemburg. Edhe rritja e nivelit të mallrave të magazinuara e ndihmoi ekonominë, ku magazinat e biznesit u rritën 1 pikë përqindjeje në tremujorin e parë, kur prodhimi i brendshëm bruto u rrit 0,2 për qind. Eksportet evropiane kanë qenë zemra e ekspansionit ekonomik, pasi papunësia në nivele të larta 12-vjeçare i shtyn konsumatorët të shkurtojnë shpenzimet. E ndërsa kriza greke e ka shtyrë euron poshtë dhe i ka bërë mallrat e rajonit më konkurruese jashtë, ajo po ashtu i ka shtyrë qeveritë, që nga Spanja e deri në Itali, të shtojnë përpjekjet për shkurtime shpenzimesh, duke hedhur hije mbi parashikimin e rritjes ekonomike. Ekspansioni i industrisë prodhuese në Evropë u ngadalësua në qershor. Investimet e biznesit në eurozonë ranë 1,2 për qind në tremujorin e parë, krahasuar me paraardhësin, ndërsa shpenzimet konsumatore ranë 0,1 për qind, tregoi raporti i sotëm. Krahasuar me një vit më parë, PBB i tremujorit të parë u rrit 0,6 për qind, për herë të parë që prej tremujorit të tretë të 2008-ës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›