Fluks aplikimesh për pasaportat biometrike, shtohen oraret në zyra
Ka pak më shumë se një javë që jemi në kapacitetet maksimale. Aplikimet për pasaporta kanë kaluar mbi 770 mijë. Deri më sot ritmi i prodhimit ndjek normalisht aplikimin, që do të thotë se pak më shumë se 730 mijë pasaporta janë prodhuar dhe të dërguara pranë zyrave të komisariateve të policisë përkatëse, ndërsa rreth 680 mijë pasaporta janë tërhequr nga qytetarët tha Poni. Ai sqaron se nëse do të ketë fluks që mund të shkojë rreth 9 mijë aplikimeve në ditë, atëherë kjo mund të shoqërohet me shtim të afatit të tërheqjes së dokumenteve të prodhuara. Nëse do ketë një rritje të aplikimeve sikurse ndodhi në dhjetor, natyrshëm mund të ketë një rrëshqitje në afatin kohor, por kjo nuk do ti pengojë qytetarët as të hyjnë as të dalin. Nëse pasaporta e re nuk është prodhuar nuk i pengon askush të shkojnë edhe me dokumentin e vjetër. Nëse është prodhuar dhe e kanë vizën, marrin pasaportën e re bashkë me atë të vjetrën, që mos u digjet dhe viza dhe mund të kalojnë tha Poni. 200 qendra aplikimi funksionojnë në të gjithë territorin e vendit, ndërsa sezoni veror, shton ndjeshëm kërkesën e shtetasve për të pajisur me pasaportën dhe kartën biometrike. Pasaporta e re dixhitale kushton 5 mijë lekë të reja, ndërsa letërnjoftimi i ri kushton 1200 lekë të reja. Qytetari paraqitet në zyrat e aplikimit, që janë pranë çdo njësie bashkiake. Qytetari paraqet mandatarkëtimin dhe prezantohet duke treguar një nga dokumentet që mund të identifikojë veten (pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, fletëhyrje për në institucione etj). Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat, qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në gjendjen civile. Pastaj merren shenjat e gishtave, dilet në fotografi dhe nënshkrimi elektronik. Gjithçka në një zyrë dhe vetëm njëherë. Pas jo më shumë se dy javësh merret letërnjoftimi në po të njëjtën zyrë. Duhet ardhur personalisht, se letërnjoftimi duhet aktivizuar dhe ka nevojë për përputhshmërinë e gishtit tuaj me ato që karta përmban.